Alarm te Gjermania: Schlotterbeck rrezikon të humbasë Kupën e Botës


E hënë, 22 Qershor 2026
Alarm te Gjermania: Schlotterbeck rrezikon të humbasë Kupën e Botës

Kombëtarja e Gjermanisë është përballur me një lajm shqetësues pas fitores 2-1 ndaj Bregut të Fildishtë, pasi mbrojtësi Nico Schlotterbeck pësoi një dëmtim që mund ta lërë jashtë fushave për një kohë të gjatë.

26-vjeçari ndjeu probleme në kyçin e këmbës që në minutat e para të takimit, por vazhdoi lojën deri në fund të pjesës së parë. Megjithatë, ai nuk ishte në gjendje të vazhdonte dhe u zëvendësua gjatë pushimit mes dy pjesëve.

Pas ndeshjes, trajneri i Gjermanisë, Julian Nagelsmann, pranoi se situata nuk duket premtuese.

“Dyshohet për një dëmtim të ligamenteve. Nuk duket mirë”, deklaroi selektori gjerman.

Sipas mediave gjermane, ekziston frika se Schlotterbeck mund të ketë këputur një ligament në kyçin e këmbës, gjë që do të nënkuptonte një mungesë të gjatë nga fushat e blerta. Rezultatet përfundimtare priten pas rezonancës magnetike të planifikuar gjatë ditës së hënë.

Në rast se konfirmohet një dëmtim i rëndë, aventura e mbrojtësit në Kupën e Botës mund të ketë marrë fund pas vetëm dy ndeshjeve. Një zhvillim i tillë do të ishte goditje jo vetëm për Gjermaninë, por edhe për Borussia Dortmundin, ku Schlotterbeck është një nga shtyllat kryesore të ekipit.


Burimi: 04online

Kërko ndihmë për trajtim shëndetësor jashtë vendit
Të fundit