E mërkurë, 1 Korrik 2026

26-vjeçari, F.B., është i riu që vdiq tragjikisht afër vendit të quajtur “Guri i Dellocit”, në zonën malore ndërmjet bjeshkëve të Bukoshit dhe Dellocit, pasi dyshohet se u godit nga rrufeja.
Kështu ka bërë të ditur për Klankosova.tv zëdhënësi i policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.
Ai tha se menjëherë pas pranimit të njoftimit, patrulla policore e Stacionit Policor në Suharekë, së bashku me hetuesit, është nisur drejt vendit të ngjarjes. Duke pasur parasysh se incidenti ka ndodhur në një zonë të thellë malore, qasja në vendngjarje ka qenë e vështirë.
Ndërsa në vendin e ngjarjes, ekipi mjekësor i Emergjencës së Suharekës ka konstatuar vdekjen e viktimës, F.B., mashkull rreth 26 vjeç.
Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori kujdestar, ndërsa hetuesit e Sektorit Rajonal të Hetimeve janë duke zhvilluar hetimet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, në bashkërendim me Prokurorin e Shtetit.
E rëndë në Suharekë: Vdes tragjikisht i riu pasi u godit nga rrufeja
Burimi: klankosova
