E enjte, 9 Korrik 2026

Një armë e gjatë gjysmëautomatike, qindra fishekë të kalibrave të ndryshëm dhe pajisje të tjera ushtarake janë sekuestruar nga Policia e Kosovës gjatë një operacioni të zhvilluar në fshatin Lucka Reka të komunës së Zubin Potokut.
Sipas Policisë, aksioni është realizuar pas informacioneve të marra nga qytetarët, të cilët kanë njoftuar se në një shtëpi të pabanuar mund të fshiheshin armë dhe mjete të tjera ilegale, transmeton Klankosova.tv.
Pas kontrollit në lokacionin e dyshuar, policia ka gjetur dhe sekuestruar një armë të gjatë gjysmëautomatike, 392 fishekë të kalibrit 7.62 mm, 123 fishekë të kalibrit 7.9 mm, 15 fishekë të pushkës së gjuetisë, 11 fishekë të pushkës së gjatë, tre fishekë manovrues, 18 fishekë të armës së shkurt, dy fishekë të armës së gjatë, gjashtë gëzhoja të llojeve të ndryshme si dhe një bajonetë.
Të gjitha veprimet e ndërmarra i janë paraqitur Prokurorit të Shtetit, i cili ka udhëzuar inicimin e rastit për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Burimi: klankosova
