E enjte, 9 Korrik 2026

Këtë të enjte është mbajtur shqyrtimi gjyqësor ndaj të akuzuarve për sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit, i ndodhur më 29 nëntor 2024.
Gazetarja e Klan Kosovës, Qëndresa Tërshani, raportoi se në fillim të seancës, tre të akuzuarit, Dragisha Viqentijeviq, Jovan Viqentijeviq dhe Igor Dimoviq refuzuan ta lexojnë aktakuzën dhe u deklaruan të pafajshëm për veprat që u ngarkohen, transmeton Klankosova.tv.
Megjithatë, sipas gazetares, procesi vazhdoi me paraqitjen e fjalëve hyrëse nga palët. I pari që mori fjalën ishte prokurori special, Bekim Kodraliu, i cili, përveç deklarimeve të tij, paraqiti edhe prova materiale, përfshirë pamje që sipas Prokurorisë mbështesin aktakuzën.
“Shqyrtimi filloi me refuzimin e parë të treshes, Dragisha e Jovan Viqentijeviq, dhe Igor Dimoviq, të cilën refuzuan ta lexojnë aktakuzën dhe u deklaruan të pafajshëm. Megjithatë, fjalët hyrëse u dhanë në këtë proces gjyqësor. I pari që foli ishte prokurori special, Bekim Kodraliu, i cili përveç me fjalë, kishte paraqitur edhe disa prova me pamje”, tha Tërshani.
Sipas Tërshanit, prokurori Kodraliu u shpreh i bindur se gjatë procesit gjyqësor do të vërtetohet fajësia e të akuzuarve, duke theksuar se Prokuroria ka siguruar prova të mjaftueshme, të përfshira në aktakuzë, të cilat, sipas tij, dëshmojnë se sulmi ndaj kanalit të Ibër-Lepencit ishte akt terrorist me synim dëmtimin e një prej infrastrukturave më kritike në Kosovë dhe cenimin e sigurisë së Republikës.
“Bekim Kodraliu tha se treshja do të shpallen të fajshëm, pasi sipas tij ka mjaftueshëm prova, të cilat i ka renditur edhe në aktakuzë, që dëshmojnë që sulmi në Ibër-Lepenc ishte kryekëput për sulm terrorist dhe kishte për qëllim të dëmtojë infrastrukturën më kritike në Kosovë dhe ta cenojë sigurinë e Republikës. Ai tha se për këtë është dëshmuar se Serbia është fajtore pasi ka ushtruar treshen dhe ka financuar sulmin”, u shpreh gazetarja në Klan Kosova.
Burimi: klankosova
