E shtunë, 25 Korrik 2026

Anthony Joshua do të rikthehet sonte në ring, ku do të përballet me boksierin shqiptar Kristian Prenga në duelin kryesor të mbrëmjes së boksit “The Comeback”, që zhvillohet në Jeddah Superdome të Arabisë Saudite.
Përballja konsiderohet vendimtare për ish-kampionin e botës, i cili synon të hapë rrugën drejt një superdueli të shumëpritur me Tyson Fury më vonë gjatë këtij viti.
Joshua (29 fitore, 4 humbje, 26 me nokaut) rikthehet pas një periudhe të vështirë, e cila u shoqërua me një aksident të rëndë automobilistik në fund të vitit të kaluar. Britaniku shihet si favorit absolut për këtë duel, por kampi i tij ka bërë të ditur se nuk e nënvlerëson aspak kundërshtarin shqiptar.
Në anën tjetër, Kristian Prenga (20 fitore, 1 humbje, 20 nokaut) vjen me një seri prej 16 fitoresh radhazi dhe synon të realizojë surprizën më të madhe të karrierës së tij. Boksieri shqiptar është shprehur i bindur se mund ta rrëzojë Joshua-n dhe të tronditë botën e boksit.
Në peshimin zyrtar, Prenga rezultoi rreth 10 kilogramë më i rëndë se Joshua, ndërsa të dy zhvilluan një përballje të tensionuar sy më sy, duke shtuar pritshmëritë për një duel të zjarrtë.
Fitorja e Joshua-s pritet t’i hapë rrugën një supersfide ndaj Tyson Fury, i cili madje ka konfirmuar se do të jetë i pranishëm pranë ringut për ta ndjekur nga afër këtë meç. Megjithatë, Prenga ka mundësinë të prishë të gjitha planet nëse arrin të shkaktojë një nga befasitë më të mëdha të viteve të fundit në kategorinë e peshave të rënda.
Burimi: 04online
