E martë, 10 Nëntor 2026

Kandidati i Listës Studentore, Feda Dimoviq së bashku me pesë kandidatë të tjerë dhe përfaqësues të kësaj liste i cili qëndroi këtë fundjavë në Kosovë, deklaroi se Kosova zë një vend të rëndësishëm në programin e tyre dhe se është “pjesë integrale e Serbisë dhe shtyllë e identitetit tonë shpirtëror dhe kulturor”, transmeton Anadolu.
Dimoviq nga Lista Studentore e cila fitoi zgjedhjet në Serbi në tetor të këtij viti, ka thënë se pjesë e delegacionit që u takuan me përfaqësues të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë ishin gjashtë kandidatë për deputetë dhe 20 studentë nga pothuajse të gjitha universitetet.
“Nga ky udhëtim sjellim forcën që do të na nevojitet në luftën për ta rikthyer vendin tonë nga kthetrat e krimit të organizuar. Popullit tonë në Kosovë i përcjellim mesazhin e dashurisë dhe solidaritetit, me premtimin e qartë se nuk do të harrohet kurrë”, ka shkruar Dimoviq.
Qëndrimi i Listës Studentore është se sa i përket çështjes së Kosovës do të veprojë në përputhje me Kushtetutën e Serbisë, sipas së cilës Kosova është pjesë përbërëse e Serbisë.
“Kosova dhe Metohia kanë një vend të rëndësishëm në programin e Listës Studentore, gjë që konfirmon se Kosova dhe Metohia është një pjesë integrale e Serbisë dhe një shtyllë e identitetit tonë shpirtëror dhe kulturor”, thuhet në postimin e tij.
Sipas njoftimit nga Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit, kandidatët e Listës Studentore u takuan në Manastirin e Graçanicës me mitropolitin e Rashkës dhe Prizrenit, Teodosije, me qëllim që të njiheshin nga afër me jetën e pjesëtarëve të komunitetit serb dhe sfidat me të cilat përballet Kisha në Kosovë.
“Përfaqësuesit e Listës Studentore shprehën gatishmërinë që, përmes punës dhe veprimtarisë së tyre të ardhshme në institucione, t’i kushtohen çështjeve të mbrojtjes së popullit serb, të drejtave të tij dhe objekteve të shenjta ortodokse, duke mbajtur komunikim të vazhdueshëm me njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe Metohi”, thuhet në njoftim.
Lista Studentore pritet ta formojë e vetme qeverinë e re të Serbisë, por ende nuk dihet se kush do të jetë kandidati i saj për kryeministër dhe as nuk është prezantuar një program i qartë politik.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pas zgjedhjeve të mbajtura në Serbi, tha se tashmë dihet se kush ka humbur në Serbi, mirëpo ende nuk dihet se kush ka fituar.
Gjithashtu, më 7 nëntor, kandidati i Listës Studentore nga Kosova, Jugosllav Gashiq përsëriti qëndrimin se nuk do të ketë bashkëpunim me Listën Serbe, pasi, sipas tij, kjo e fundit është përgjegjëse për përkeqësimin e pozitës së serbëve në Kosovë.
Burimi: mesazhi
Etiketa: Aktuale
