Momenti i fundit që Kosova të trajtohet si vendet e rajonit


E enjte, 28 Janar 2016

Ministri i Integrimit, Bekim Çollaku ka thënë në Berlin se është momenti i fundit që Kosova të trajtohet në mënyrë të barabartë me fqinjët dhe që procesi i integrimit evropian të mos jetë i kufizuar vetëm në punën e institucioneve por që të jetë diçka që qytetarët tonë do të mund ta përjetojnë drejtpërdrejtë.


Lexoni të plotë postimin e tij lidhur me fjalimin e mbajtur në Berlin, ngjarje kjo e organizuar nga Instituti prestigjioz Aspen.

“Mbrëmë në Berlin pata një prezantim rreth Kosovës dhe rrugës sonë euroatlantike. Kjo ngjarje ishte e organizuar nga Instituti prestigjioz Aspen. Po ashtu pata kënaqësinë edhe të jem në diskutim së bashku me të dërguarin special të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Turqinë dhe shtetet e EFTA-s, Ambasadorin Ernst Reichel dhe deputetin gjerman Ernst Kirchbaum, kryetar i komisionit parlamentar për çështje të BE-së në Bundestagun gjerman.

Para zyrtarëve dhe publikut gjerman fola për arritjet tona tetë vite pas shpalljes së pavarësisë, përfshirë edhe në rrugën e integrimit evropian të Kosovës. Shpreha falënderimin për mbështetjen e vazhdueshme që Kosova e ka pasur nga Qeveria dhe populli gjerman, si në aspektin e sigurisë, të ndërtimit të institucioneve por edhe në realizimin e aspiratave të integrimit euro-atlantik.

Më specifikisht, biseduam më në detaje për thyerjen e izolimit që Kosova është duke e përjetuar. Thashë se është momenti i fundit që Kosova të trajtohet në mënyrë të barabartë me fqinjët dhe që procesi i integrimit evropian të mos jetë i kufizuar vetëm në punën e institucioneve por që të jetë diçka që qytetarët tonë do të mund ta përjetojnë drejtpërdrejtë. Biseduam për të gjitha arritjet që janë shënuar në zbatimin e Udhërrëfyesit për liberalizim të vizave, dhe se si kjo është një gjë për të cilën mund të mburremi bashkërisht, si ne ashtu edhe shtetet anëtare të BE-së dhe institucionet e BE-së.

Mundësia e liberalizimit të vizave do të jetë përforcim i përkushtimit Evropian ndaj Kosovës, gjë që do t’i jep shtyrje procesit reformues dhe do të dinamizojë agjendën evropiane. Kjo nuk do të jetë vetëm në interes të Kosovës, por edhe të të gjithë rajonit dhe vetë Evropës”. /Telegrafi/

Etiketa: ,
Të fundit