E diel, 19 Mars 2017
Prishtinë – Partnerët e koalicionit qeverisës, PDK dhe LDK, duket se kanë harruar premtimin e dhënë për riformatizimin e kabinetit qeveritar dhe zvogëlimin e numrit të ministrive.
Kur i kanë mbetur edhe pak më shumë se një vit mandat të kësaj qeverie, kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, vazhdon të hesht rreth premtimit për të bërë ndryshime në kabinetin që ai udhëheq, meqë është kritikuar mjaft shumë për numrin e madh të ministrive, duke e bërë Qeverinë e Kosovës me të madhen në rajon dhe më gjerë.
Kryeministri Mustafa në korrik të vitit të kaluar, pas një takimi që kishte pasur me zyrtaren e lartë amerikane, Victoria Nuland, përmes një komunikate për media, pati paralajmëruar riformatimin e kabinetit qeveritar, që për synim kishte edhe zvogëlimin e numrit të ministrive.
“Ai theksoi interesimin që të punohet në riformatimin e Qeverisë, i cili do të përfshijë zvogëlimin e kabinetit, përfshirjen e njerëzve të rinj, si dhe rritjen e efikasitetit dhe përshpejtimin e proceseve reformuese”, thuhej në komunikatën e Kryeministrisë.
Në kabinetin e kryeministrit Isa Mustafa thonë se nuk kanë harruar këtë premtim, pasi ekziston pajtimi tek partnerët e koalicionit qeverisës që kjo të ndodhë.
Faton Abdullahu, këshilltar i kryeministrit, Isa Mustafa, tha për KosovaPress, se ekziston pajtimi mes partnerëve se do të duhej të bëhej zvogëlimi i numrit të ministrive, porse aktualisht dy partitë janë pajtuar që të vazhdohet me këtë përbërje të kabinetit qeveritar.
“Shikoni, çështja në fjalë nuk është harruar. E dini që ky format i Qeverisë kështu si kundër është, është i trashëguar dhe ka ekzistuar një pajtim i palëve në koalicion që duhet të ketë riformatim në kuptimin e zvogëlimit të dikastereve edhe më përpjekjen që të shtohet efiçienca dhe të shtohen edhe kursimet në këtë drejtim. Parimisht si i tillë, me këtë qasje ekziston pajtueshmëri edhe tani e tutje, por nuk ka lëvizje konkrete, nuk ka diçka konkrete në këtë drejtim që do ta bënte informacion apo do të quhej si risi”, tha Abdullahu./KP/
Etiketa: Koalicioni, Kosovë, LDK, PDK, Qeveria