E shtunë, 8 Prill 2017
Prishtinë – Presidenti Thaçi dje ia ka bërë të qartë Listës Serbe se u është dhënë edhe një mundësi e fundit, që të reflektojnë për themelimin e ushtrisë së Kosovës përmes ndryshimeve kushtetuese.
Presidenti Thaçi ka thënë se është esenciale që përfaqësuesit politikë të komunitetit serb të mos mendojnë qoftë edhe për një çast të vetëm se institucionet e Kosovës po heqin dorë nga themelimi i Forcave të Armatosura, sepse ky do të ishte gabimi më i madh i tyre.
“Ne me qëllimin më të mirë, në përputhje me Planin e Veprimit, vetëm po e bëjmë procesin krejtësisht transparent, gjithëpërfshirës dhe po i japim edhe një mundësi të fundit themelimit të Forcave të Armatosura të Kosovës nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese. Mirëpo një gjë mbetet e sigurt, nuk do të lejojmë bllokim dhe abuzim më këtë proces nga askush që ka pretendime të tilla”, ka thënë presidenti Thaçi.
Presidenti Thaçi ka thënë se duke qenë plotësisht i përgjegjshëm për rëndësinë e përfundimit të procesit të themelimit të ushtrisë së Kosovës nëpërmjet një procesi transparent, gjithëpërfshirës dhe që siguron mbështetjen e plotë të të gjithë partnerëve tanë strategjikë, konsideron se institucionet tona ende kanë në dispozicion kohën e mjaftueshme që bashkërisht të bëhet edhe një përpjekje të fundit që të sigurojmë përkrahjen e të gjitha komuniteteve për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës.
“Si president dua të siguroj të gjithë hisedarët në këtë proces, e sidomos përfaqësuesit legjitim të komunitetit serb të cilët ende kanë hezitime dhe keqkuptime, por me këtë rast dua të siguroj publikisht edhe partnerët tanë ndërkombëtarë se përpjekjet e të gjitha institucioneve tona shtetërore për të arritur këtë qëllim janë tepër serioze dhe qëllimmira. Ne nuk jemi duke i bërë këto përpjekje vetëm sa për sy e faqe apo vetëm për të bindur partnerët tanë se ne e bëmë përsëri edhe një përpjekje, mirëpo përfaqësuesit politikë të komunitetit serb nuk ndryshuan qëndrimin e tyre. Në asnjë rrethanë, ky nuk është qëllimi”, ka thënë Thaçi, transmeton Telegrafi.
Etiketa: Acta Diurna, Kosovë, Lista Serbe, Presidenti