E diel, 21 Maj 2017
Dy partitë kryesore në Kosovë, PDK e LDK, si bartëse të koalicioneve parazgjedhore, kanë refuzuar të publikojnë listat përfundimtare të kandidatëve për deputetë, të dërguara në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për certifikim.
Vetëm Partia e Albin Kurtit, deri tash, ka bërë publike listën finale, të kandidatëve për zgjedhjet e 11 qershorit.
Zyrtarët e PDK’së dhe të LDK’së kanë thënë se vetëm udhëheqësit e partive i kanë listat dhe se gjithçka do të bëhet publike të hënën, kur edhe përfundon afati i fundit për korrigjim e certifikim përfundimtar.
Express ka kontaktuar me disa zyrtarë të PDK’së e LDK’së, por askush s’ka guxuar të japë listën e kandidatëve.
Në PDK kanë thënë se është në dorën e Kadri Veselit se kur do të bëhen publike listat finale.
Ndërkaq, në LDK kanë thënë se po bëjnë disa korrigjime për t’i publikuar pastaj listat. Në mesin e tyre është edhe kërkesa e Behgjet Pacollit të zhvendoset prej numrit 2 në 50. Kjo me arsyetimin se aty dëshiron ta vendos Korab Sejdiun.
Partitë e vogla në koalicione, AAK, NISMA, AKR e Alternativa kanë publikuar vetëm emrat e kandidatëve për deputetë, por jo edhe renditjen e tyre.
Partitë politike kanë dorëzuar listat preliminare për deputetë të premten mbrëma për zgjedhjet nacionale që mbahen në javën e dytë të qershorit.
Kësaj radhe në zgjedhje shkojnë tri blloqe, PDK shkon me AAK e NISMA’n derisa LDK ka lidhur koalicion me AKR’në e Alternativën. Vetëm Vetëvendosje shkon e vetme në zgjedhje. Janë tre kandidat për Kryeministër: Ramush Haradinaj, Avdullah Hoti e Albin Kurti.