DnV: Deri në orën 12 kanë votuar 14.61 për qind e qytetarëve


E diel, 22 Tetor 2017

Koalicioni i organizatave jo qeveritar Demokracia në Veprim (DnV), në konferencën e dytë për shtyp ka njoftuar për mbarëvajtjen e procesit të zgjedhjeve lokale.

Sipas këtyre të dhënave deri në orën 12 kanë votuar 14.61 për qind e qytetarëve, raporton Ekonomia Online.

“Tri komunat ku është votuar më së shumti janë Kllokoti, Mamusha dhe Leposaviqi. Ndërkaq komunat ku është votuar më së paku janë Skenderaj, Dragashi dhe Rahoveci”, ka thënë Albert Krasniqi.

“Ka pasur tentim për të votuar më shumë se një herë. Janë parë edhe këtë herë shumë votime në grup, apo familjare. Edhe në këto zgjedhje ka pasur fotografim të votës – dhe njërës që kanë votuar jashtë kabinës së votimit. Një person ka votuar letërnjoftim të gruas, por mbi të gjitha nuk ka pasur grupe të organizuara që dëshirojnë ta dëmtojnë procesin zgjedhor”.

Më shumë se 1 milion e 890 mijë qytetarë me të drejtë vote, do të kenë mundësinë që të votojnë të dielën, më 22 tetor, për kandidatët për kryetar të komunave dhe për këshilltarë komunal.

Për këto zgjedhje lokale janë gjithsej 899 qendra votimi me 2 505 vendvotime, në 38 komuna të Kosovës.

Organizata të shumta vendore dhe ndërkombëtare kanë paralajmëruar se do ta vëzhgojnë nga afër procesin e zgjedhjeve lokale.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka akredituar rreth 33 mijë e 200 vëzhgues.

Numri i kandidatëve që janë certifikuar nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për zgjedhjet lokale të 22 tetorit, është 7 091 kandidatë, prej tyre 6 887 janë kandidatë për Kuvende Komunale, ndërkaq 204 kandidatë janë në garë për kryetar komune.

Etiketa: , ,
Të fundit