E shtunë, 16 Qershor 2018
Mungesa e ligjit që do ta definonte statusin juridik të bashkësive fetare në Kosovë, mund të sjellë sfida të rrezikshme për të gjitha ato, përfshirë edhe Bashkësinë Islame të Kosovës, thotë krye-imami i Kosovës, Sabri Bajgora.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, krye-imami Bajgora thotë se BIK-u, në bashkëpunim me institucionet e Kosovës, është përfshirë në deradikalizim e personave që vuajnë dënimet për veprat penale që kanë të bëjnë me radikalizmin fetar dhe ekstremizmin e dhunshëm. Risocializimin e këtyre personave ai e sheh të rëndësisë së veçantë.
Radio Evropa e Lirë: Kryeimam Bajgora, a jeni të kënaqur me akomodimin ligjor të bashkësive fetare në Kosovë, përfshirë këtu edhe Bashkësinë Islame të Kosovës?
Sabri Bajgora: Fatkeqësisht edhe pas 19 vjet prej që ka përfunduar lufta, bashkësitë fetare në Kosovës veprojnë pa kurrfarë ligji që përcakton statusin e tyre juridik. Andaj, në këtë mes edhe Bashkësia Islame e Kosovës nuk ka ndonjë status ligjor dhe është për t’u çuditur neglizhenca e organeve tona, e Kuvendit të Kosovës dhe Qeverisë së Kosovës, që nuk po bëjnë më tepër, kur edhe nga faktori ndërkombëtar dhe nga miqtë tanë ndërkombëtarë janë nxitur shpeshherë që ta përshpejtojnë aprovimin e këtij ligji, me të cilin bashkësitë fetare do ta organizonin lirshëm jetën e tyre fetare, në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe të gjitha rregulloret dhe aktet ndërkombëtare që përcaktojnë të drejtat dhe liritë fetare nëpër botë.
Radio Evropa e Lirë: Mungesa e një ligji, kështu siç e përmendët ju, çfarë sfidash mund të sjellë për bashkësitë fetare dhe a janë ato të rrezikshme?
Sabri Bajgora: Mungesa e këtij ligji na qet neve para sfidave të shumta dhe të ndryshme, me të cilat ne ballafaqohemi gjatë përditshmërisë tonë, qoftë në aspektin administrativ, qoftë edhe në aspektin organizativ. Pa këtë ligj, i ofrohet mundësia shumëkujt që të propagandojë në emër të fesë, pa qenë i varur nga bashkësitë fetare, qoftë islame, krishtere (katolike) apo ortodokse. Prandaj, unë mendoj se miratimi i një ligji duhet sa më shpejtë, ndonëse nuk jemi të kënaqur me këtë ligj, ne si Bashkësi Islame, sepse nuk është një ligj që plotëson nevojat apo kërkesat tona. Është më tepër një ligj ‘ad hock’, është një kopjim nga disa shtete evropiane dhe në forma të ndryshme nuk e koncepton mentalitetin e kësaj popullate që është në Kosovë. Por, megjithatë, më mirë do të ishte një ligj i dobët se sa pa ligj fare. Andaj, unë mendoj që me këtë ligj duhet të kemi jashtëzakonisht kujdes, që të mos u japim hapësirë grupeve të ndryshme fetare që të financohen apo të krijojnë paralelizma ndaj bashkësive aktuale fetare. Kjo, sepse, shumë thjeshtë, ne me këtë ligj që do të aprovohet dhe me të cilin tashmë thash se nuk jemi të kënaqur, jepet hapësirë që me 50 nënshkrime çdo komunitet të formojë bashkësi fetare krye në vete. Kushti i vetëm është që ta ketë një seli, ta ketë një trupë konstituive prej 50 vetash dhe mjaftohet me kaq. Prandaj, unë mendoj që duhet të jemi shumë të vëmendshëm, që edhe Qeveria e jonë dhe parlamentarët tonë, në mënyrë shumë të detajuar ta analizojnë këtë ligj që do të aprovohet ndoshta në një të ardhme të afërt, në mënyrë që të mos i lejojmë grupet e ndryshme, të piketuar në Kosovë që të dalin në sipërfaqe dhe të na e rrezikojnë këtë mirëqenie apo tolerancë që e kemi kultivuar me shekuj nëpërmjet bashkësive fetare.
Radio Evropa e Lirë: Bashkësia Islame e Kosovës edhe më herët ka kërkuar nga institucionet e vendit që të përfshihet në procesin e deradikalizimit të personave që janë duke vuajtur dënimin për vepra të caktuara që ndërlidhin ekstremizmin e dhunshëm dhe radikalizmin që çon në terrorizëm. Cili është roli i BIK-ut në këtë proces?
Sabri Bajgora: Duke parë rolin dhe ndikimin që kanë imamët apo bashkësitë fetare nëpër Evropë dhe kryesisht në perëndim, Bashkësia Islame e Kosovës ka kërkuar nga Qeveria që të përfshihet në procesin e deradikalizimit nëpër burgje. Jo vetëm për deradikalizim, por më tepër si nj formë apo lloj këshillimi për të burgosurit, të cilët herët a vonë do të dalin nga burgu dhe natyrisht që ne ata duhet t’i risocializojmë, që të jenë anëtarë të denjë dhe të barabartë të shoqërisë në të ardhmen. Fatmirësisht, kemi hasur në mirëkuptim nga Qeveria dhe kohët e fundit, muajin e kaluar, kemi nënshkruar një memorandum mirëkuptimi, në të cilin përcaktohet që imamët që do të përzgjidhen nga Bashkësia Islame e Kosovës do të ligjërojnë nëpër burgje, anë e mbanë Kosovës. Në këtë proces edhe për çështjen e deradikalizimit. Por, kjo varet kryesisht nga vullneti i të burgosurve apo i të dënuarve që janë në këtë fushë dhe ne do të jemi të gatshëm edhe në këtë segment që bashkërisht me kolegët tanë që janë nga fusha e psikologjisë dhe sociologjisë, t’i rrekemi çështjes së bisedimit me ta, në mënyrë që sadopak të arrijmë të depërtojmë tek këta njerëz, për të parë se çka i ka shtyrë ata që të radikalizohen. Në përputhje me këtë, ne kemi përgatitur edhe plan-programet tona, se si do t’iu qasemi këtyre njerëzve. Mendoj se me vullnetin e dyanshëm, ne do të arrijmë që do sado pak t’i zhdavarisim ato mendimet e tyre radikale, të cilat i kanë quar ata, fatkeqësisht, në shkuarjen e disa të rinjve tanë në vatrat e krizës, duke mos qenë të vetëdijshëm se shkuarja e tyre atje është njëdrejtimëshe dhe mundësia për t’u kthyer gjallë është shumë e vogël.
Radio Evropa e Lirë: A mundet dhe sa mundet BIK-u të ndikojë në procesin e risocializimit të personave, pas vuajtjes së dënimi të për veprat që ndërlidhen me ekstremizmin e dhunshëm dhe radikalizmin fetar?
Sabri Bajgora: Mendoj që, si Bashkësi Islame e Kosovës dhe këtu e kam fjalën për imamët që janë nëpër terren, e kanë një rol jashtëzakonisht të madh në risocializimin e tyre, sepse së pari, pas daljes së tyre nga burgu, ne do të përpiqemi që t’i risocializojmë. Është detyrë e jona që krahas institucioneve tera të Kosovës, të bëjmë të pamundurën që këta njerëz të mos jenë të stigmatizuar, të mos jenë të vetmuar, por t’i përfshijmë në rrjedhat normale të shoqërisë, duke pasur parasysh edhe pendimin e tyre për të kaluarën që e kanë pasur. Mendoj se neve na duhet përkrahja e shtetit në këtë drejtim, që atyre ndoshta t’iu sigurohet ndonjë punësim adekuat, që familjes së tyre t’iu mundësohet shkollimi, sepse shumë prej familjeve të tyre janë në atë skajin varfërisë. Duhet të kemi kujdes që të mos krijojmë njerëz që mund të kenë ndjenja armiqësore ndaj nesh, por njerëz që do ta ndjejnë dorën e ndihmës së shtetit, përfshirë këtu edhe të Bashkësisë Islame. Unë mendoj se imamët e kanë një obligim moral por edhe madhor, ndaj Zotit dhe ndaj tyre, që këta njerëz t’i këshillojnë dhe të vazhdojnë t’i këshillojnë. Duke pasur parasysh që edhe Zoti i plotfuqishëm i falë gjynahet, i falë mëkatet – prandaj, ata njerëz duhet të vazhdojnë jetën e tyre normalisht, pa kurrfarë stigmatizimi. E kaluara e tyre të hidhet prapa dhe të vazhdojnë me të ardhmen, duke u përpjekur që të jenë njerëz të dobishëm, ashtu siç ndodhë në shumë vende të perëndimit dhe të botës.
Radio Evropa e Lirë: Ka persona, të cilët e kanë vuajtur dënimin dhe tashmë janë në liri. A keni kontaktuar me personat e tillë?
Sabri Bajgora: Të themi të drejtën, ende nuk kemi kontaktuar drejtpërdrejtë, por ua kemi sugjeruar imamëve tonë që të jenë të vëmendshëm dhe të kontaktojnë me ta përmes familjeve të tyre, për të parë se deri në çmasë është zbutur qëndrimi i tyre ndaj Bashkësisë Islame dhe ndaj fesë islame në përgjithësi. Kjo, duke pasur parasysh se idetë me të cilat janë ushqyer ata, kanë qenë ide të kontaminuara, ide skajshmërisht jo islame, ide që nuk përkojnë as me natyrën njerëzore, humane, që duhet ta ketë një mysliman. Të ushqesh ndjenja urrejtjeje ndaj një grupi njerëzish, nuk është islame. Ne do të përpiqemi që çdo urrejtje, çdo ndasi, ta minimizojmë, ta largojmë. Prandaj, imamët tonë duhet të kenë kujdes dhe të bisedohet në mënyrë të shtruar me ta, për të parë se deri në çmasë është arritur deradikalizimi i tyre dhe pastaj, dalngadal t’i fusim në rrjedhat e një normaliteti, për të cilën edhe ne synojmë të dalim me programet tona.
Radio Evropa e Lirë: A kanë ndikuar në imazhin e Bashkësisë Islame të Kosovës arrestimet dhe proceset gjyqësore ndaj disa imamëve, të cilët janë akuzuar për vepra penale që ndërlidhen me radikalizmin fetar dhe ekstremizmin e dhunshëm?
Sabri Bajgora: Prononcimet tona, në ditët e para të arrestimit të disa imamëve, kanë qenë shumë të qarta, që ata për ne janë të pafajshëm përderisa nuk vërtetohet fajësia e tyre nëpërmes procesit gjyqësor. Fatmirësisht, dy proceset që ishin kundër disa imamëve tonë, përfunduan dhe imamët dolën të pafajshëm dhe u liruan nga akuzat. Andaj, e ndjejmë veten të kënaqur që megjithatë është ruajtur imazhi i Bashkësisë Islame, është ruajtur imazhi i fesë islame në përgjithësi. Kanë qenë procese dhe kanë qenë disa dyshime, por janë vërtetuar se kanë qenë dyshime të pabaza dhe na gëzon fakti që këta imam vazhdojnë punën e tyre dhe vazhdojnë me këshillimet e tyre. Normalisht, duke pasur kujdes që gjatë ligjërimeve të tyre të mos i lëndojnë njerëz, të mos i lëndojnë ndjenjat e të tjerëve. Fundja, feja është një bindje e lirë e secilit dhe nuk ka nevojë t’i imponohet askujt. Ai që dëshiron ta marrë këshillën fetare, e merr. Ai që nuk dëshiron, nuk e merr. Ne jetojmë në një shoqëri demokratike, ku secili individ ka të drejtat e veta. Ka të drejtë të mos besojë, ka të drejtë të jetë ateistë, ka të drejtë të jetë çfarë të dëshirojë, por në asnjë mënyrë nuk kemi të drejtë që fenë ta implikojmë në çështjet që kanë të bëjnë me urrejtjen ndërfetare, urrejtjen ndërnacionale apo ndëretnike, qoftë edhe të grupeve që sot, në hijen e një demokracie, i gëzojnë të drejtat e tyre. Kjo është çështje e tyre personale. Ne duhet të shikojmë përpara, ta edukojmë popullin në frymën e një feje paqësore, siç është feja islame, duke pasur parasysh që vet emërtimi i kësaj feje asocion në paqen dhe sigurinë.
Radio Evropa e Lirë: Megjithatë, a kanë krijuar këto procese efekte të padëshirueshme nga Bashkësia Islame?
Sabri Bajgora: Fatmirësisht jo. Bashkësia Islame e Kosovës, duke pasur parasysh edhe xhematin që e ka nëpër terren, kanë qenë të bindur se kanë qenë procese që imamët tanë do të dalin të pastër. Përveç një imami, që është duke vuajtur dënimin dhe nuk kemi çfarë të themi për të. Ato kanë qenë bindjet e tij personale dhe ai është tashmë në vuajtje të dënimit. Ndërkohë që të tjerët kanë dalë të pastër. Xhemati, e ka pasur gjithmonë këtë ndjenjë se imamët janë të pastër dhe fatmirësisht doli një gjë e tillë. Madje, mund të them se vetëm sa është forcuar besimi i popullatës te Bashkësia Islame, gjë që vërtetohet edhe me sondazhet e fundit që kanë dalë nga shoqatat që merren me sondazhe për kontributin dhe pozitën që e kanë bashkësitë fetare. Del se Bashkësia Islame e Kosovës është mbi 70 për qind institucioni më i besueshëm në Kosovë, në raport me institucionet tjera të Kosovës.
Radio Evropa e Lirë: A e ka BIK-u kontrollin mbi të gjitha xhamitë në territorin e Kosovës?
Sabri Bajgora: Po. E them me kompetencë të plotë se ne kemi kontroll të plotë mbi të gjitha objektet tona fetare, të cilat sot janë mbi 800 në Kosovë. Përveç dy vend-falje që janë në komunën e Dragashit, në të cilat defilojnë pjesëtarët mysliman të goranëve. Për këto lokacione janë të njoftuara organet e sigurisë dhe organet e shtetit dhe ata i kanë nën mbikëqyrje. Pra, janë këto dy objekte fetare private, janë shtëpi private, në të cilat Bashkësia Islame nuk ka qasje. Por, mendoj se meqenëse organet tona të sigurisë janë të informuara për këtë çështje, besoj që ato do ta kryejnë punën e vet dhe i mbikëqyrin në rast se ato mund të dalin nga binarët e asaj që ne propagandojmë si bashkësi fetare. Përndryshe, të gjitha xhamitë në Kosovë i kemi nën kontroll. Mund të ketë aty-këtu ndonjë pakënaqësi nga ana e imamëve, por xhamti është kryesisht ai që i përket Bashkësisë Islame.
Radio Evropa e Lirë: Si i konsideron BIK-u faktin që në disa shtëpi organizohen ritualet fetare?
Sabri Bajgora: Ka ndodhur në të kaluarën që nëpër disa shtëpi private të mbahen aktivitete fetare. Por, një gjë të tillë tashmë e kemi eliminuar, në masë të madhe, të mos them 100 për qind, sepse ka një bashkëpunim jashtëzakonisht të frytshëm në mes Bashkësisë Islame të Kosovës dhe organeve të rendit. Ne, kudo që arrijmë dhe kemi njohuri se në ndonjë filan shtëpi është mbajtur apo do të mbahet ndonjë aktivitet fetar i palicencuar apo i pa ligjësuar nga Bashkësia Islame, i marrim masat tona dhe i parandalojmë tubimet e tilla. Andaj, për momentin, nuk kemi pasur ndonjë njoftim se është mbajtur ndonjë aktivitet i tillë pa dijen e Bashkësisë Islame të Kosovës. Kjo ka ndodhur në të kaluarën, para 7 apo 8 vjetëve, por, tash për tash, nuk ndodhë më.
Etiketa: Bashkësia Islame e Kosovës, Intervistë, Sabri Bajgora