E enjte, 12 Korrik 2018
Prishtinë – Deputetja e VV-së, Fitore Pacolli ka komentuar nismën e AAK-së për të sjellë në Kuvend rezolutën për të kushtëzuar dialogun me liberalizimin e vizave.
Pacolli këtë iniciativë të AAK-së e ka quajtur hajgare duke thënë se Qeveria Haradinaj duhet të bie sa më shpejtë.
”Për humbjen e 8 mijë hektarëve tokë dhe për mos liberalizimin e vizave Kryeministri duhet të jap përgjegjësi. Qeveria e tij e pakicës duhet të bie sa më shpejt që të jetë e mundur”, ka shkruar Pacolli.
Postimi i plotë:
Para se të bëhej Kryeministër ia përplasi hartat në fytyrë Murat Mehës duke premtuar se aid he partia e tij nuk do të lejonte humbjen e asnjë centimetri tokë të Kosovës.
Pasi u bë Kryeministër në fillim të mandatit pati deklaruar se “nuk duhet të lidhet Demarkacioni me Vizat”.
Pas disa muajve kishte harruar se cfarë kishte thënë për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi dhe kërkonte me ngulm që sa më parë të ratifikohet demarkacioni në versionin e Murat Mehës ani pse më herët e kishte kundërshtuar. Liberalizimi i vizave varej nga demarkimi i kufirit. Filloj të thoshte se menjëherë pas ratifikimit të demarkacionit Kosova do të marr liberalizimin e vizave.
Më 16 shkurt 2018 kishte uruar qytetarët e Kosovës duke u thënë “Me këtë po përfundojmë obligimin e fundit për liberalizim të vizave dhe po hapim një kapitull të ri në lirinë e lëvizjes për qytetarët tonë. Urime Kosovë”.
4 muaj pas ratifikimit të demarkacionit me Malin e Zi, Kryeministri po hesht dhe nuk ka asnjë lëvizje përsa i përket rishikimit të kufirit.
Më 6 qershor të këtij viti, Kryeministri, në emisionin Interaktiv, filloj të na i shpjegon procedurat teknike që i aplikon Bashkimi Evropian deri tek vendimi final për liberalizimin e vizave, procedura të cilat nuk i kishte përmenduar asnjëherë para ratifikimit të demarkacionit.
U ratifikua demarkacioni. U humbën 8 mijë hektarë tokë. Nuk u bë rishikimi i marrëveshjes sic u premtua. Nuk u bë liberalizimi i vizave. Por sot deputetët e partisë së Kryeministrit paskan marrë vendim të sjellin në Kuvend rezolutën për të kushtëzuar dialogun me liberalizimin e vizave. Kjo është me ba hajgare me qytetarët e Kosovës.
Për humbjen e 8 mijë hektarëve tokë dhe për mos liberalizimin e vizave Kryeministri duhet të jap përgjegjësi. Qeveria e tij e pakicës duhet të bie sa më shpejt që të jetë e mundur.
Etiketa: Fitore Pacolli, Liberalizimi, Vetëvendosje