E mërkurë, 5 Qershor 2019
PRIZRENI – Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka sot ka nënshkruar memorandum mirëkuptimi me drejtorin ekzekutiv të organizatës Nevo Koncepti Osman Osmani për fazën e dytë të projektit të “Risocializimi i të rikthyerve Romë, Ashkali dhe Egjiptian nga Evropa Perëndimore në Komunën e Prizrenit”, i cili ka për qëllim përmirësimin e kushteve të jetesës së këtij komuniteti.
Në kuadër të këtij projekti, Komuna e Prizrenit, nëpërmjet Drejtorisë së Arsimit, Zyres komunale për Komunitete dhe Kthim dhe Drejtorisë për Punë dhe Mirëqenie Sociale do ofrojë mbështetje për aktivitete të ndryshme si integrimi shkollor i të kthyerve dhe nxënësve në nevojë të komunitetit RAE, mbështetja e tyre me materiale shkollore, mbështetja për asistimin në detyrat e shtëpisë dhe mësimin plotësues që do të zhvillohet në katër shkolla fillore të Komunës së Prizrenit, asistencë në sigurimin e dokumenteve të nevojshme për qasje në shërbime publike dhe asistencë për punësimin e pjesëtarëve të këtij komuniteti.
Ky projekt financohet nga qeveria gjermane dhe do të vazhdojë deri fund të muajit gusht të vitit 2022.
Etiketa: Aktuale, Mytaher Haskuka, Prizren, Riatdhesimi