E martë, 13 Shtator 2022
PRISHTINE – Telekomi i Kosovës ka rënë pre e sulmeve kibernetike.
Ky sulm ka bërë që të ndërpriten shërbimet e internetit të kompanisë, por se nga marrja e masave tashmë ato kanë filluar të lëshohen në përdorim.
“Po, kemi pasur sulme kibernetike. Në momentin që kemi pasur sulme i kemi ndërprerë shërbimet e internetit, ku nga marrja e masave, tashmë kemi filluar t’i lëshojmë shërbimet në mënyrë graduale”, ka konfirmuar për Telegrafin, ushtruesi i detyrës së drejtorit teknik në Telekom, Halil Krasniqi.
Kosova, Shqipëria dhe vendet e rajonit janë përballur me shtim të sulmeve kibernetike.
Platforma e-Kosova, faqja e Kryeministrisë, disa ministrive, e Policisë së Kosovës dhe shumë media, kanë qenë cak i sulmeve kibernetike gjatë javës që shkoi.
Në muajin korrik, cak i sulmeve kibernetike ka qenë edhe Shqipëria, e cila ka pësuar bllokadë totale të ueb-faqeve qeveritare.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë më 7 shtator se përgjegjës për këtë sulm është Republika Islamike e Iranit. Për pasojë, Shqipëria ka ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Teheranin.
Në fund të gushtit, Qeveria në Mal të Zi ka njoftuar, po ashtu, se ka qenë shënjestër e sulmeve kibernetike. Dyshime për përgjegjësi janë hedhur mbi Rusinë dhe Kubën. Për të hetuar këtë sulm, një ekip i Byrosë Federale të Hetimeve (FBI) ka shkuar tashmë në Mal të Zi.
Etiketa: Aktuale, Kosovë, Sulmet kibernetike, Telekomi i Kosovës