E hënë, 5 Maj 2014
Kuvendi i Kosovës, me shumicë votash, ka shtyrë votimin për amandamentimin e Kushtetutës, ndryshime të cilat do të sillnin edhe transferimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, në Forca të Armatosura të Kosovës.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës, me 83 vota për si dhe 2 kundër kanë votuar propozimin e Grupit Parlamentar të PDK-së, që të shtyhet për nesër, pika 4 dhe 13.
Vlen të theksohet se në pikën e katërt është transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK-së) në Forcën e Armatosur (FAK).
Megjithatë, deputetët kanë shprehur shqetësimin për siç kanë vlerësuar ata, “ndikimin” e komunitetit serb, rreth vendimeve të mëdha për Kosovën.
Visar Ymeri nga Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se është e qarte pse po shtyhet votimi rreth amandementimit të Kushtetutës së Kosovës.
“Si rrjedhojë e kushtëzimit të deputetëve të pakicës serbe, kjo po e pamundëson amandementimin e Kushtetutës. Është momenti që të thuhet se sa problematike është kjo vota e dyfishtë. Kjo do ta bëjë edhe mos-funksionalizimin e Kosovës”, ka thënë Ymeri.
Sipas tij, deputetët e pakicës serbe po konsultohen edhe me Qeverinë në Serbi.
“Kjo po i bie që Beogradi të vendos edhe nëse Kosova duhet të ketë FAK ose jo”, ka vlerësuar Visar Ymeri.
Gjithashtu, gjatë seancës të së hënës, deputetët kanë kërkuar që paraprakisht të ketë komunikim dhe harmonizim paraprak, ndërmjet forcave politike në vend, në mënyrë që mos të ketë edhe më tej shtyrje të tilla. /Telegrafi/
Etiketa: Kosovë, Kuvendi, Serbët, ushtria