E mërkurë, 28 Dhjetor 2022
PRISHTINË – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se autoritetet “nuk do të bisedojnë dhe bashkëpunojnë me kriminelët” në veri, por do t’i “arrestojnë ata”.
Gjatë mbledhjes së Qeverisë së Kosovës të mbajtur më 28 dhjetor, Kurti foli për barrikadat e ngritura në veriun e banuar me shumicë serbe, duke argumentuar se ato po cenojnë integritetin territorial të Kosovës.
“Fatkeqësisht këta kriminelë, të sanksionuar edhe nga SHBA-ja dhe Britania e Madhe, po mbështeten nga presidenti dhe Qeveria e Serbisë me qëllim destabilizimin e rajonit, përveç cenimit të integritetit territorial të republikës sonë”, tha Kurti.
Kurti duket se iu referua nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radoiçiq, i cili është nën sanksione nga Uashingtoni dhe Londra, teksa Prishtina e kërkon atë për dyshimet se ka frikësuar dëshmitarët në rastin e njohur si Brezovica.
Radoiçiq është në listën e zezë amerikane për shkak të dyshimeve për përfshirje në krimin e organizuar ndërkombëtar, ndërkaq është nën sanksione britanike për shkak të dyshimeve për korrupsion.
Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë, që ka mbështetjen e Beogradit – ka thënë se Radoiçiq është “bartës i rezistencës” në veri të Kosovës.
Disa serbë lokalë që nga 10 dhjetori kanë vendosur barrikada në veri, duke bllokuar rrugët që çojnë drejt pikave kufitare Jarinjë dhe Bërnjak, që lidhin Kosovën dhe Serbinë.
Që atëherë këto dy pika janë mbyllur për qarkullim, ndërkaq nga 27 dhjetori është mbyllur edhe pikëkalimi i Merdares, pas vendosjes së barrikadave në territorin e Serbisë.
Etiketa: Albin Kurti, barrikadat, Kosovë, Kriminelët serb, Veriu