Kryetarët e veriut nga radhët e PDK-së të gatshëm të punojnë nga objekti i komunës kur situata të stabilizohet


E shtunë, 3 Qershor 2023

ZVEÇAN – Kryetari i Komunës së Zveçanit, Ilir Peci(PDK) dhe i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri(PDK) kanë thënë se janë të gatshëm të ushtrojnë funksionin e tyre në objektet e komunave në momentin kur të krijohet situatë e qetë dhe e sigurt.

Kryetari i Zveçanit në një prononcim për Telegrafin ka thënë se për momentin rreth objektit të komunës janë KFOR-i, të cilët janë duke ruajtur paqen dhe sigurinë.

Peci tha se në momentin që do t’i jepet mundësia për të punuar nga objekti i komunës së Zveçanit do të shkojë të punojë nga aty.

“Jam i gatshëm të punoj nga vendi im i punës. Për momentin objekti është i rrethuar dhe është KFOR-i aty. Mirëpo, në momentin që situata të qetësohet dhe të më thonë nga qeveria, unë do të jem aty për të ushtruar veprimtarinë time si kryetar i komunës”, ka thënë Peci.

Edhe kryetari i Komunës së Zubin Potokut, Izmir Zeqiri tha se është i gatshëm ta ushtrojë veprimtarin e tij në objektin e komunës në momentin që të krijohen kushtet për punë.

Ai tha se nuk dëshiron që ai dhe kabineti i tij të jenë protagonist të krijimit të situatave të dhunshme.

“Është e vërtetë që ne jemi duke punuar në zyrën komunale të komunitetit në Çabër. Vërtetë jam i gatshëm, mirëpo, nëse krijohen kushtet tamam për punë, dhe jo që ne të jemi protagonist ku prodhohet dhuna. Por, nëse nuk ka kushte nuk e shoh të arsyeshme që të shkojë me kabinetin në komunë”, ka thënë Zeqiri.

Ndërkaq, edhe sot grupe qytetarësh të komunitetit serb janë duke zhvilluar protestë të qetë afër objektit të Komunës së Zveçanit.

Etiketa:
Të fundit