E hënë, 13 Korrik 2026

Këshilli i Bashkimit Evropian ka emëruar diplomatin gjerman Dirk Schübel si përfaqësues special të Bashkimit Evropian për Kosovën. Schübel do ta pasojë diplomatin estonez Aivo Orav, i cili u largua nga Kosova në prill. Sipas njoftimit të BE-së, ai do ta marrë detyrën më 1 shtator 2026, me një mandat fillestar dyvjeçar.
Në komunikatë thuhet se Dirk Schübel është diplomat gjerman me përvojë të gjerë në një sërë pozicionesh drejtuese në Shërbimin Evropian për Veprim të Jashtëm (EEAS), në Komisionin Evropian, si edhe në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë. Aktualisht, ai drejton Divizionin për Rusinë në EEAS.
Më parë, gjatë periudhës 2022–2024, ai ka shërbyer si i dërguar special i BE-së për partneritetin lindor. Gjithashtu, ai ka udhëhequr delegacionin e BE-së në Bjellorusi nga viti 2019 deri në vitin 2022 dhe selegacionin e BE-së në Moldavi nga viti 2009 deri në vitin 2013, ku ka luajtur një rol kyç në forcimin e angazhimit të BE-së në fqinjësinë lindore.
“Mandati i përfaqësuesit special të BE-së përqendrohet në promovimin e një Kosove të qëndrueshme, demokratike dhe shumetnike, duke mbështetur perspektivën e saj evropiane përmes komunikimit publik dhe angazhimit të drejtpërdrejtë me publikun. Përgjegjësitë kryesore përfshijnë monitorimin e progresit në prioritetet politike, ekonomike dhe të sigurisë, kontributin në forcimin e të drejtave të njeriut, sundimit të ligjit dhe mbrojtjes së pakicave, si dhe promovimin e koordinimit politik të BE-së për të siguruar një prani të bashkërenduar dhe të dukshme”, thuhet në komunikatën për shtyp të publikuar nga Këshilli i Bashkimit Evropian.
Në komunikatë shtohet gjithashtu se mandati i tij përfshin ofrimin e udhëzimeve politike në terren për Misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), si dhe mbështetjen e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me synim nxitjen e stabilitetit rajonal dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore.
Burimi: mesazhi
Etiketa: Aktuale
