E diel, 8 Qershor 2025
Një ngjarje e diskutueshme ka ndodhur në stadiumin kombëtar “Air Albania” gjatë ndeshjes së shumëpritur Shqipëri–Serbi, ku Policia e Shtetit ndërhyri për të ndaluar shfaqjen e flamurit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), duke larguar gjithashtu edhe një tifoz që mbante të veshur një fanellë me këtë simbol.
Ky veprim ka shkaktuar reagime të fuqishme në rrjetet sociale dhe në opinionin publik, veçanërisht në Kosovë, ku flamuri i UÇK-së konsiderohet simbol i lirisë, qëndresës dhe sakrificës për çlirim.
Ngjarja ndodhi gjatë njërës prej përballjeve më të ngarkuara emocionalisht për shqiptarët, ku ndeshja mes Shqipërisë dhe Serbisë i kapërcen kufijtë e sportit dhe prek dimensione historike, politike dhe kombëtare.
Shfaqja e flamurit të UÇK-së nga tifozët nuk ishte rastësore; ishte një shprehje krenarie dhe kujtese kolektive për sakrificat e luftës për liri.
Megjithatë, përpara nisjes së ndeshjes, efektivët e Policisë së Shtetit ndërhynë për të larguar flamurin nga tribuna.
Situata u përshkallëzua më tej kur, në një skenë të rëndë, mbi 20 policë rrethuan një tifoz që mbante të veshur një fanellë me stemën e UÇK-së. Pavarësisht përpjekjeve të tifozëve të tjerë për ta mbrojtur, ai u kap dhe u nxor jashtë stadiumit nga forcat e policisë.
Pamjet dhe dëshmitë tregojnë se ndërhyrja u krye në mënyrë të ashpër dhe pa ndonjë shpjegim të qartë për publikun.
Sipas Kodit Penal dhe legjislacionit shqiptar, nuk ekziston ndalim ligjor për përdorimin e simboleve të UÇK-së. Përkundrazi, Shqipëria ka qenë një mbështetëse e fuqishme e Kosovës dhe e luftës çlirimtare, ndërsa shumë prej ish-drejtuesve të UÇK-së janë nderuar në Shqipëri dhe kanë marrë edhe shtetësinë shqiptare.
Që në Tiranë, në kryeqytetin shqiptar, të ndalohet flamuri i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës duket e pabesueshme, aq më tepër që nuk ka pasur ndonjë njoftim për ndonjë urdhër të brendshëm që ndalon përdorimin e këtyre simboleve.
Megjithatë, veprimet e Policisë së Shtetit kanë zemëruar shumë tifozë, të cilët nuk janë pajtuar me mënyrën se si u largua flamuri i UÇK-së dhe me trajtimin e tifozit që mbante veshur fanellën me stemën e saj.
Deri më tani, institucionet e Kosovës nuk kanë dalë me një reagim zyrtar, edhe pse ngjarja ka prekur ndjeshëm opinionin publik kosovar.
Ndërkohë, në Shqipëri, pritet një sqarim nga Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit lidhur me këtë ndërhyrje të pazakontë.
Nga Kosova pritet një qëndrim institucional dinjitoz, për të mbrojtur jo thjesht një flamur, por vlerat që ai përfaqëson: gjakun, dinjitetin dhe luftën për lirinë e një populli që edhe sot paguan koston politike të kësaj sakrifice.
Etiketa: Aktuale, Kombëtarja, UÇK