E diel, 11 Nëntor 2018
PRISHTINË – Zëvendëskryeministri në Qeverinë e Kosovës, Enver Hoxhaj ka thënë se Kosova duhet ta kushtëzojë dialogun me Serbinë, nëse nuk liberalizohen sa më parë vizat për qytetarët e Kosovës.
Hoxhaj ka thënë se një lloj politike e kushtëzimit duhet të ndodhë ndaj Serbisë në dialogun në të cilin po zhvillohen nga dy vendet.
“Kam menduar që do të ndodhë një lloj politike e kushtëzimit, jo një lloj tërheqje. Në deklaratat e mia asnjëherë nuk ka pasur formulime për tërheqje, por nëse Bashkimi Evropian nuk është në gjendje që t’i përmbushë premtimet në raport me liberalizimin e vizave dhe ne i kemi përmbushur të gjitha kriteret, nga kriteri i parë deri në kriterin e 95-të, dhe tash i mbetet BE-së, që të marrë vendim sa i takon mundësisë së lëvizjes së lirë në vitin 2019. Atëherë pse do të duhej t’i besojmë BE-së që BE-ja do të ketë instrumente që ta bindë Serbinë që ta njohë Kosovën”, ka thënë Hoxha për REL.
Hoxhaj ka folur edhe për taksën që Kosova i ka vendosur mallrave serbe, duke thënë se mund të ketë edhe masa të tjera nëse Serbia vazhdon të sillet me agresivitet ndaj Kosovës.
Tutje ai tha se marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë duhet të përfshijë disa elemente, si elementi i parë ai përmendi njohjen e ndërsjellë mes dy vendeve si dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB.
Etiketa: Aktuale, Enver Hoxhaj, Kosova, Liberalizimi