E shtunë, 21 Mars 2026

Për shekuj me radhë, raportimet për sjellje të çuditshme të kafshëve para tërmeteve janë konsideruar thjesht folklor. Megjithatë, kërkimet e fundit sistematike po eksplorojnë nëse këto reagime ndaj ndryshimeve mjedisore mund të shërbejnë si një sistem paralajmërimi i hershëm për njerëzimin.
Një studim i nxitur nga vëzhgimet në liqenin San Ruffino në Itali, dokumentoi se 96 për qind e bretkosave të zakonshme e braktisën vendin e tyre të shumimit pesë ditë para tërmetit shkatërrues të L’Aquila-s në vitin 2009.
Ky kërkim ishte ndër të parët që përcaktoi sasinë e ndryshimit të sjelljes tek amfibët e egër. Lëkura e tyre e ndjeshme ndaj përbërjes kimike të ujit u identifikua si një faktor kyç që i bën ata detektorë natyrorë të aktivitetit sizmik.
Ngjashëm, një studim mbi shumë specie i kryer në Parkun Kombëtar Yanachaga në Peru, analizoi të dhënat e kamerave përpara një tërmeti të madh në vitin 2011. Rezultatet treguan një rënie drastike të aktivitetit.
Nga 15 regjistrime ditore të kafshëve, numri ra në më pak se 5 në javët paraprake, ndërsa në 24 orët e fundit lëvizjet pushuan plotësisht. Kjo “heshtje” preku të gjitha llojet, nga brejtësit e vegjël deri te kafshët më të mëdha si armadillot.
Hulumtimi sugjeron se edhe ndikohen edhe kafshët shtëpiake dhe bagëtitë. Kështu studimet japoneze mbi lopët qumështore raportuan ulje të rendimentit të qumështit dhe shenja shqetësimi disa ditë para tërmeteve lokale.
Pas tërmetit të madh të vitit 2011 në Japoni, një anketim me mbi 1.900 pronarë macesh dhe qensh zbuloi se rreth 16-19 për qind e kafshëve kishin shfaqur ngurrim ose sjellje të pazakontë brenda 24 orëve para goditjes.
Shkencëtari i NASA-s, Friedemann Freund, ka propozuar një hipotezë që lidhet me stresin e shkëmbinjve. Sipas tij, zhvendosja e pllakave tektonike lëshon grimca të ngarkuara elektrikisht (jone pozitive) në ajër dhe ujë, të cilat rritin nivelet e stresit te gjallesat.
Faktorë të tjerë të mundshëm përfshijnë dridhjet infra-zonike, ndryshimet në fushën elektromagnetike ose tingujt që njerëzit nuk i dëgjojnë. Aktualisht, në Lima të Perusë po zhvillohet prova “Animal Alerts”, ku qentë pajisen me jaka inteligjente për të monitoruar rrahjet e zemrës në kohë reale.
Gjithashtu, studimet mbi milingonat e kuqe po vazhdojnë të hetojnë reagimin e tyre ndaj luhatjeve magnetike. Megjithëse komuniteti shkencor mbetet i kujdesshëm, kombinimi i të dhënave biologjike me ato mjedisore shihet si rruga drejt parashikimeve më të besueshme të rrezikut sizmik. /tesheshi.com/
Burimi: tesheshi
