E diel, 19 Prill 2026

Ditëve të fundit, në disa lokacione në rajonin e Mitrovicës, Vushtrrisë, Skenderajt dhe Istogut, Policia e Kosovës ka zhvilluar aksione të gjera në kuadër të luftimit të veprimtarive të dyshimta që lidhen me skema piramidale dhe bixhoz të paligjshëm.
Sipas njoftimeve zyrtare, rreth 50 lokacione janë kontrolluar nga Policia e Kosovës dhe Prokuroria, ndërsa 34 persona kanë përfunduar në pranga. Gjatë operacioneve janë sekuestruar rreth 170 mijë euro para të gatshme, pesë automjete, armë zjarri si dhe pajisje e materiale të tjera të përdorura për aktivitete të kundërligjshme, transmeton Klankosova.tv.
Aksion policor kundër bixhozit të paligjshëm në 50 lokacione – 34 të arrestuar
29 nga të dyshuarit janë dërguar në mbajtje, ndërsa 5 të tjerë janë liruar.
Sipas Kodit Penal të Kosovës, veprat si bixhozi i paligjshëm dhe skemat piramidale mund të dënohen me gjobë dhe burgim deri në disa vite, varësisht nga roli dhe shkalla e organizimit të veprës penale.
Pra sa mund të dënohen të dyshuarit, sipas Kodit Penal?
29 të dyshuarit të cilët aktualisht gjenden në mbajtje, nëse shpallen fajtorë për veprat që iu rëndojnë, mund të dënohen deri në 12 vjet burgim.
Sipas nenit 300 të Kodit Penal, kushdo që me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo për personin tjetër, organizon, merr pjesë apo ndihmon në organizimin e veprimtarive të skemave piramidale, dënohet me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.
Në rregulloren e Kodit po ashtu potencohet se kushdo që me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo për personin tjetër, organizon, merr pjesë apo ndihmon në organizimin e bixhozit, lojërave të llojit të kazinove apo lojërave të fatit siç përcaktohet me ligj, për të cilat nuk është dhënë licenca, leja apo koncesioni i organit kompetent, dënohet me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.
Ndërsa, siç theksohet në Kod Penal, kur vepra penale nga paragrafi 1. ose 2. i këtij neni rezulton me fitim apo humbje që tejkalon 25.000 euro, kryesi dënohet me burgim prej dy deri në 12 vjet.
“Për qëllime të këtij neni, shprehja ‘skemë piramidale’ do të thotë ofertë apo plan për investim mashtrues, ku paratë e kontribuara nga investitorët e mëvonshëm përdorën drejtpërdrejtë për të paguar ose ripaguar interesin ose bazën e investitorëve të mëhershëm, pa ndonjë veprimtari operative apo që prodhon burime të të ardhurave, përveç grumbullimit të vazhdueshëm të fondeve të reja”. /klankosova.tv
Burimi: klankosova
