Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Afro 17 vite nga mbarimi i luftës, ende 1670 të pagjetur

Prizren Post | 21:48 - 16.04.2016

Afro 17 vjet pas çlirimit të Kosoves, lufta nuk ka përfunduar ende për disa qindra familje shqiptare. Kjo pasi ende edhe sot e kësaj dite, nuk dihet fati i 1670 shqiptareve të zhdukur.

Arsim Gërxhaliu është drejtori i Departamentit të Mjekësisë Ligjore. Në gjithë këto vite ai ka ndjekur procesin e identifikimit të eshtrave nëpër varrezat masive si në Kosovë ashtu edhe në Serbi.

Por edhe pse së fundmi misioni i tij është vështirësuar, Gërxhaliu nuk është dorëzuar.

I ndodh që shpesh edhe pasi e ka përfunduar procesin e ndërlikuar të gjetjes dhe identifikimit, familjarët nuk duan ta besojnë vdekjen, duke u mashtruar nga sekserë serbë, se të afërmit i kanë gjallë në Serbi.

“Në Departamentin tonë kemi mbetje kockore të cilat janë verifikuar edhe me analizën e ADN-së dhe është lidhur me tre anëtarë të familjes, por nuk e kanë tërhequr familja sepse ende shpresojnë se është gjallë në Serbi”, thotë Gërxhaliu.

Nga rreth 6 mijë e 400 trupa të pajetë që pasluftës janë konsideruar të zhdukur, deri tani Gërxhaliu me ekipin e tij i kanë gjetur dhe identifikuar 4 mijë e 19 raste. Njërit prej viktimave kujton Gërxhaliu, ja kanë gjetur eshtrat në tre shtete.

“Kemi rastin e Prizrenit ku në poligonin e gjuajtjes kemi gjetur pjesë të njeriut të cilat dy herë më herët ia kemi kthyer të njëjtës familje. Sepse me fshehjen e gjurmëve të krimit, Serbia është munduar që menjëherë t’i largojë nga Kosova dhe një pjesë i kemi gjetur në Batajnicë të Serbisë, pjesën tjetër e kemi gjetur në Vermicë në afërsi me Shqipërinë dhe pjesën tjetër të mbetur e kemi gjetur në poligonin e gjuajtjes në Prizren. Por edhe pas këtyre tri vendeve ai trup ende nuk është i kompletuar”, rrëfen ai.

Gjatë këtyre viteve ai tregon se ka marrë pjesë në hapjen e mbi 500 pikave ku dyshohej se kishte varreza masive dhe nuk i harrohen gërmimet e para në Batajnicë të Serbisë, ku në secilën prej 9 varreve masive janë gjetur nga më shumë se 150 shqiptarë të vrarë.

“Por, transferi i parë nga Batajnica ka qenë më prekësi sepse trupi i parë që e kam tërhequr ka qenë një vajzë e vogël 7-8-vjeçare e cila mu në ballë kishte vrimën hyrëse të predhës”, thotë Gërxhaliu.

Gërxhaliu nuk mund të harrojë natyrisht momente si ato kur ka identifikuar eshtrat e heroit kombëtar Isa Boletini dy vite më parë, apo kur menjëherë pas luftës ka identifikuar edhe familjen e komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari, mustaqet e të cilit i ruan si kujtim.

“Puna në Prekaz ka qenë shumë emocionuese. Madje ekipi ynë shpesh edhe ka qarë pasi kemi pasur raste me fëmijë, e më pastaj komandanti legjendar. Kurse kurajën na jepnin familja Jashari, diçka e cila me të vërtetë është e paharruar. Thjeshtë, ata kujdeseshin për emocionet tona”, tregon ai.

Vetë Gërxhaliu i ka 40 familjarë të vrarë gjatë luftës. Shpreson që një ditë t’i hapë edhe ato varre, për t’u rikthyer dinjitetin atyre që s’ janë më.

17 vite pas luftës, gërmimet vazhdojnë…çdo varr që hapet, zgjat misionin aspak të lehtë të njeriut, që me tmerret e luftës jeton çdo ditë./ Top Channel


Etiketa:
Arivisti Company