Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Anashkalohet MPB-ja, s’ka zëvendësministër

Astrit Shehu | 13:24 - 10.08.2015

Qeveria e Kosovës ka emëruar 28 zëvendësministra deri më tani. Diku 1, diku 2, e diku madje 3 zëvendësministra.

Por në Ministrinë e Punëve të Brendshme, si një prej ministrive kryesore, nuk e ka emëruar asnjë zëvendësministër. Në Qeveri thonë se do të emërohet së shpejti zëvendësministri në MPB, sikur që do të ketë edhe emërime të reja të zëvendësministrave. Opozita e sheh të panevojshëm këtë post

Anashkalimi i Ministrisë së Punëve të Brendshme në procesin e emërimit të zëvendësministrave, nuk e shqetëson kryetarin i Komisionit parlamentar për punë të brendshme, Daut Haradinaj. Ai thotë se përderisa institucioni i policisë është funksional, atëherë nuk ka fare rëndësi nëse ka apo jo zëvendësministër në Ministrinë e Punëve të Brendshme.

“Unë mendoj që MPB funksionon më shumë në kuadër të drejtorit të Policisë dhe vetë ministri Hyseni dhe drejtori i Policisë e kanë rolin kryesor. Zëvendësministrat, kryesisht janë sistemim i militantëve. Përderisa institucioni i Policisë është funksional, atëherë mua nuk më shqetëson fare a ka zëvendësministër a s’ka”, tha Haradinaj.

Burime të Radio Kosovës bëjnë të ditur se në këtë ministri që drejtohet nga Skënder Hyseni i LDK-së, pritet të emërohen dy zëvendësministra, njëri nga PDK-ja e tjetri nga LDK-ja, meqenëse, sipas këtyre burimeve, ka mosmarrëveshje mes partnerëve të koalicionit lidhur me zëvendësat në këtë ministri.

Zëdhënësi i Qeverisë, Arban Abrashi në një përgjigje me shkrim ka mohuar të ketë ndonjë problem mes partnerëve të koalicionit, ndërsa ka theksuar se do të emërohet zëvendësministri edhe në këtë ministri, sikur që do të emërohen edhe zëvendësministra të tjerë në dikastere tjera.

“Nuk ka asnjë problem në mes të partnerëve të koalicionit. Ashtu siç jemi shprehur edhe më herët, emërimet do të bëhen në mënyrë suksesive, duke kërkuar kandidatët më të përshtatshëm për ato dikastere. Besojmë që në kohë rekorde, pra është çështje javësh kur do të emërojmë edhe zëvendësministrat në ato ministri që duhet, e gjithashtu edhe në Ministrinë e Punëve të Brendshme”, ka thënë Abrashi për Radio Kosovën.

Sidoqoftë, ai nuk nuk ka sqaruar pse nuk është emëruar asnjë zëvendësministër në këtë ministri deri më tani.

Ndryshe, Qeveria Mustafa e formuar me 9 dhjetor të vitit të kaluar, ende nuk e ka përmbyllur emërimin e të gjithë zëvendësministrat, për të cilët është thënë se do të jenë më shumë se dyzetë.


Etiketa:
Arivisti Company