Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Argjentina me shumë vështirësi kalon tutje

Prizren Post | 23:14 - 26.06.2018

Ndeshja mes Argjentinës dhe Nigerisë doli të jetë shumë interesante, ku në minutat e fundit fitues dolën argjentinasit me rezultat 2-1.

Ndeshja nisi shumë mirë për Argjentinën, që radhiti rastet para portës së Nigerisë. Lionel Messi ishte në top formë. Ai arriti të shënojë që në minutën e 14-të.
Pasim i bukur nga Ever Banega për Lionel Messin që vrapon drejt zonës dhe gjuan me të djathtën për të shënuar për 1-0.

Pas tij rrezikoi Higuain që doli përballë portierit, por që nuk arrin të shënojë. Messi goditi shtyllën nga goditja e dënimit në minutën e 33-të, ku ishte i pafat, pasi gjuajti bukur. Pjesa e parë u mbyll pa rrezikuar asnjëherë.

Pjesa e dytë nisi me një penallti. Një ndërhyrje e pakuptimtë e Javier Mascheranos në zonë, bëri që gjyqtari Cuneyt Cakir të akordojë penallti.

Nga pika e bardhë doli të jetë i saktë Moses që shënoi në minutën e 49-të.

Argjentina nga ky moment mori lojën përsëri në dorë dhe kuronte golin.

Higuain, Messi dhe Pavon rrezikuan, por pa sukses. U desh të vije minuta e 86-të ku pas harkimit në zonë me një goditje të bukur shënoi Marcos Rojo.
Argjentina me katër pikë kalon tutje, si e dyta pas Kroacisë që tuboi nëntë pikë, njofton Telegrafi.


Etiketa:
Arivisti Company