E hënë, 1 Qershor 2026

Një person është arrestuar sot në kuadër të hetimeve për rastin e vdekjes së një punëtori, që kishte ndodhur më 29 prill 2026 në një vendpunishte në fshatin Gllaviqicë të Pejës.
Prokuroria Themelore në Pejë ka bërë të ditur se arrestimi është rezultat i veprimeve intensive hetimore të zhvilluara në koordinim me Drejtorinë Rajonale të Hetimeve në Pejë. I dyshuari po hetohet për veprat penale “Manipulimi me prova” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, sipas legjislacionit penal në fuqi, transmeton Klankosova.tv.
Arrestimi është realizuar nga Policia e Kosovës, ndërsa me urdhër të prokurorit të shtetit, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.
Ndërkohë, Prokuroria njofton se ndaj një familjari të të pandehurit po zhvillohen veprime hetimore për veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas Prokurorisë, brenda afateve ligjore do të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme procedurale dhe hetimore për zbardhjen e plotë të rastit dhe përcaktimin e përgjegjësisë penale, transmeton Klankosova.tv.
Prokuroria Themelore në Pejë ka ritheksuar përkushtimin e saj për mbrojtjen e sigurisë së punëtorëve në vendet e punës dhe ndjekjen penale të të gjithë personave përgjegjës për shkeljet që cenojnë këtë siguri.
Burimi: klankosova
