E shtunë, 14 Shtator 2013
Prishtinë, 14 shtator – Ekzekutivi është më i pandjeshmi ndaj rekomandimeve të Avokatit të Popullit, kurse Kuvendi është një përbërje amalgame, përbëhet nga vullnete të ndryshme politike, por gjendja nga mosrespektimi i të drejtave të njeriut në Kosovë , është e rëndë, thotë në intervistën për Radion Evropa e Lirë, Avokati i Popullit, Sami Kurteshi.
Në konstatimin se Kosova jo rrallë herë radhitet në mesin e vendeve që nuk gëzojnë nivel të lartë të respektimit të të drejtave të njeriut, Kurteshi është përgjigjur se
se këto vlerësime ndërkombëtare, nga Freedom House, Human Rights Watch, e të tjera, nuk kemi parë vlerësime që do të mund të kundërshtoheshin. Nuk mund të konstatojmë për ndonjë përmirësim të dukshëm të gjendjes së të drejtave të njeriut në Kosovë. Sigurisht ka dallime në detaje të ndryshme, por unë pajtohem me këto vlerësime, ka thënë Kurteshi.
Shkeljet më të mëdha të të drejtave të njeriut Kurteshi i përmend ato të rasteve te kundër-gjyqësorët, (rastet e prokurorive), për shkak të neglizhencës, për shkak të vonesave të mëdha, por edhe për shkak të rasteve të dallueshme dhe të dukshme të korrupsionit, të keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe manipulimit të fakteve.
Këto raste edhe po i shohim dhe dëgjojmë çdo ditë. Problemin e kryesor ne e kemi se nuk posedojmë një drejtësi të stabilizuar, as shoqërore, e as institucionale. Ky është problemi kryesor.
Duke u përgjigjur në pyetjen se cili komunitet është ai që vuan më së shumti në këtë drejtim, qoftë ai etnik, gjinor apo dhe tjerë Kurteshi ka thënë : “ Situata jostabile, siç është në Kosovë, shkakton edhe lëvizje të ndryshme, bartje të konfliktit. Dhe, bartja e konfliktit sigurisht prek njerëzit më të dobët në shoqëri dhe ato janë komunitetet që ne do t’i quanim pakicë, po nuk duhet nënkuptuar gjithmonë komunitetet pakicë etnike, ose gjuhësore.
Kemi parë se muajt e fundit në Kosovë, për shembull, një problem më vete kanë qenë edhe komuniteti LGBT. Në njëfarë mënyre kanë qenë cak i disa sulmeve.
Marrë situatën e përgjithshme shoqërore ekonomike e politike lirisht mund themi se komunitet rom, ashkalinj dhe egjiptas, janë komunitetet më të diskriminuara, me pozitën më të keqe. Nuk mund të themi se ka ndjekje të organizuar shtetërore kundër tyre, por situata e përgjithshme bën që ata të jenë në pozitën më të pafavorshme, jo rrallë edhe diskriminuese”.
Etiketa: avokati i popullit, Qeveria, Sami Kurteshi