E diel, 19 Nëntor 2023
SHKUP – Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, konsideron se është e domosdoshme marrëveshja në mes Kosovës dhe Serbisë. Kjo pasi siç thotë ai, po ndodhin ndryshime të shpejta në gjeopolitikë, e të cilat nuk e favorizojnë Ballkanin.
Osmani për “KosovaPress”, thotë se në Ballkan ende mund të ketë sfida e tensione, andaj thekson se nevojitet vëmendje e veçantë.
Ai flet edhe për draft-statutin për Asociacionin, ndërsa për sulmin terrorist në Banjskë thotë se ka kthyer gjithçka në pikën zero.
“(Situata e sigurisë në Ballkan) Është ende me sfida, nuk besoj që ka një kërcënim eminent për destabilizim. Kjo është në bazë të analizave që i bëmë si vende anëtare të NATO-s, edhe si kryesues i OSBE-së, dhe në bazë të gjitha informacioneve bilaterale që kemi. Do me thënë, në Ballkan nuk presim ndonjë destabilizim që mund të ndodhë, mirëpo sfida e tensione mund të ketë, duhet një vëmendje e veçantë”, thotë ai.
Për çështjen e sigurisë në Ballkan dhe rrezikun potencial së fundmi ka folur edhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, sipas të cilit “Rusia po përgatit një luftë në Ballkan”, Osmani thotë se deklaratat e tilla janë mesazh plus se pse duhet të mbyllen me shpejtësi temat e mëdha.
“Ne gjithmonë kemi qenë të vëmendshëm për eventualisht, zgjerim të konfliktit në Ballkan. Ballkani ka dosje të hapura, të cilat janë në një mënyrë potencial për eskalim dhe sigurisht se ka akterë të cilët do të kishin dashur të defokusojnë opinionin botëror me një krizë të re dhe ky është një mesazh plus se pse ne duhet të ngutemi të mbyllim temat e mëdha këtu në rajon, që të mos lejojmë tokë pjellore për të gjithë ata akterë malinjë të cilët duan ta kenë Ballkanin territor rezervë për konflikte”, thotë Osmani.
Ministri i Jshtëm i RMV-së thotë se Kosova dhe Serbia duhet të shfrytëzojnë momentumin për të përmbyllur mosmarrëveshjet.
“Ju e dini se Maqedonia e Veriut ishe nikoqire e atij dialogu (marrëveshja e Ohrit) që flet shumë për interesin tonë që sa më shpejt të përmbyllen dallimet mes Kosovës dhe Serbisë. Pozicioni i Maqedonisë së Veriut është se ne e mbështesim një marrëveshje gjithëpërfshirëse ndërmjet dyja vendeve, të cilat në qendër do të kenë njohjen e ndërsjellë dhe pastaj rrugëtimin euro-atlantik të të gjithë rajonit. Inkurajojmë palët që të shfrytëzojnë këto momente të rëndësishme gjeopolitike dhe të avancojnë procesin e bisedimeve dhe arritjen e marrëveshjeve sepse kohërat dhe gjeopolitika po ndryshojnë dhe mendoj se këto ndryshime nuk po shkojnë në favor të rajonit”, thotë ai.
Etiketa: Aktuale, Bujar Osmani, Kosova, Serbia