Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Berisha dorëzon nesër dorëheqjen te Nishani

Prizren Post | 18:20 - 08.09.2013

  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  

Tiranë, 8 shtator – Kryeministri në detyrë, Sali Berisha, do të paraqesë të hënën paradite dorëheqjen e kabinetit të tij te presidenti Bujar Nishani.

Katër vjet pasi ai mori emërimin nga presidenti i asaj kohe, Bamir Topi, për të udhëhequr qeverinë për një mandat të dytë, do t’i dërgojë kreut të shtetit aktin zyrtar të lënies së postit të tij dhe të 15 anëtarëve të kabinetit qeveritar. Burime nga Këshilli i Ministrave bëjnë të ditur për Panoramën se akti i dorëheqjes do të depozitohet në protokollin e kreut të shtetit pak orë përpara se të mblidhet Parlamenti i ri, ku do të bëhet edhe betimi zyrtar i deputetëve, si dhe do të zgjidhet kreu i ri i Kuvendit. Megjithatë, sipas Kushtetutës, Kryeministri Berisha dhe anëtarët e tjerë të kabinetit do të qëndrojnë në detyrë të paktën deri në fund të javës tjetër, kur ministrat e rinj të kenë bërë betimin te kreu i shtetit.

Kushtetuta parashikon në mënyrë të detajuar procedurën nga propozimi i emrit të Kryeministrit deri në betimin e qeverisë së re. Në nenin 96, pika 1 e ligjit themeltar, përcaktohen etapat që do të ndiqen gjatë javës së ardhshme. Sipas saj, duhet që forca që ka rezultuar fituese në zgjedhjet e 23 qershorit, ose koalicioni fitues, që në rastin konkret është “Aleanca për Shqipërinë Europiane” e kryesuar nga Partia Socialiste, i dërgon Presidentit emrin e Kryeministrit të ri. Kjo procedurë formale mund të bëhet ditën e martë.

Më pas është kreu i shtetit ai që e emëron Kryeministrin dhe i hap rrugë formimit të qeverisë. Firma e Nishanit mbi propozimin e PS-së për Ramën pritet të bëhet brenda të njëjtës ditë. “Presidenti i Republikës, në fillim të legjislaturës, si dhe kur vendi i Kryeministrit mbetet vakant, emëron Kryeministrin me propozim të partisë ose koalicionit të partive, që ka shumicën e vendeve në Kuvend”, thuhet në nenin 96, pika 1 e Kushtetutës. Pas emërimit të kreut të qeverisë, procedura pasardhëse është ajo e formimit të kabinetit qeveritar.

Presidenti i kërkon kryeministrit emrat e ministrave dhe, pas verifikimit nga institucionet përkatëse, nxjerr dekretet që ia dërgon Parlamentit. Dekretet (për secilin ministër) e kreut të shtetit do të votohen në seancë kuvendore dhe, nëse secila etapë nuk merr më shumë se 24 orë kohë, të enjten vendi do të ketë qeverinë e re. Në votim hidhen së bashku programi i qeverisë, emri i Kryeministrit dhe përbërja e kabinetit. “Kryeministri i emëruar sipas nenit 96, nenit 104 ose 105, i paraqet për miratim Kuvendit, brenda 10 ditëve, programin politik të Këshillit të Ministrave së bashku me përbërjen e tij”, thuhet më tej në nenin 97 të Kushtetutës. Në fund, kabineti i ri bën betimin te kreu i shtetit dhe merr zyrtarisht detyrën.


Etiketa:
Arivisti Company