Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

BIK-u: Përdhosja e xhamisë dhe Kur’anit, e papranueshme

Prizren Post | 12:52 - 16.04.2017

Prishtinë – Bashkësia Islame e Kosovës ka reaguar ndaj sulmit që i është bërë sot xhamisë në Llabjan, duke e cilësuar këtë si veprim që dëmton përpjekjen e komuniteteve ndërfetare për krijimin e mirëbesimit ndërfetar.

BIK ka kërkuar nga organet që të marrin masa për sigurinë e objekteve fetare që ato të mos bien pre e individëve që kanë qëllime të errëta.

Ky është reagimi i plotë i BIK-ut:

Sot pasdite xhamia e Llabjanit është demoluar nga një pjesëtar i komunitetit serb i cili përveç dëmtimit të xhamisë ka bërë edhe përdhosjen e sallës së lutjeve si dhe ka dëmtuar e përdhos lehvat me ajete nga Kurani famëlartë që kanë qenë të vendosura në muret e xhamisë.

Sulmi, përdhosja dhe demolomi i objekteve e simboleve fetare, përveç që është akt i papranueshëm, është veprim që dëmton seriozisht përpjekjet e komuniteteve fetare për krijimin e mirëbesimit ndërfetar e ndëretnik .

Sulmet e tilla dhe përdhosja e objekteve fetare nxisin e ringjallin urrejtje, mos durim e dhunë, frikën dhe klimën e mosbesimit tek popullata e Kosovës, andaj duhet angazhim i të gjithëve që këso veprime të mos na përsëriten.

Kërkojmë nga organet kompetente të marrin masat e duhura për sigurinë e objekteve fetare, që ato të mos bien pre e individëve që kanë qëllime të errëta dhe drejtësia të vihet në vend.

Nga ana jonë ne mbetemi të përkushtuar për kultivimin e tolerancës, mirëkuptimit e mirëbesimit në vendin tonë.


Etiketa:
Arivisti Company