E premte, 28 Gusht 2026

Sipas raportit të Komisionit, kërkesa ishte dorëzuar më 21 gusht 2026 në adresën elektronike zyrtare të Degës së LDK-së në Prizren nga Adrian Boçaj, njëri prej nënshkruesve të nismës. Kërkesës i ishte bashkëngjitur një listë me 37 nënshkrime të delegatëve.
Gjatë shqyrtimit të dokumentacionit, Komisioni ka konstatuar se deri më 28 gusht tetë delegatë kishin dorëzuar deklarata me shkrim për tërheqjen e nënshkrimeve të tyre.
Kjo ka bërë që numri i delegatëve që mbështesin kërkesën të zbresë nga 37 në 29.
Kuvendi i Degës së LDK-së në Prizren përbëhet nga 96 delegatë. Në bazë Statutit të partisë, për thirrjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm kërkohet mbështetja e 1/3 së delegatëve, që në rastin konkret përkthehet në së paku 32 nënshkrime.
Në raport thuhet se Komisioni, pas verifikimit të listës së dorëzuar dhe deklaratave për tërheqjen e nënshkrimeve, ka konstatuar se kriteri statutor lidhur me numrin e nevojshëm të delegatëve nënshkrues nuk është përmbushur.
Për rrjedhojë, Komisioni ad-hoc rekomandon që kërkesa për thirrjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm të Degës së LDK-së në Prizren të konsiderohet e papranueshme, për shkak të mospërmbushjes së kriterit statutor.
Raporti është nënshkruar më 28 gusht 2026 nga katër anëtarët e Komisionit ad-hoc: Bashkim Rrezia, Artan Abazi, Ilir Baldedaj dhe Florent Ukaj.
Burimi: gazetaeprizrenit
