E premte, 16 Tetor 2026

Kryenegociatori i Kosovës me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj, ka zhvilluar në Bruksel një takim me rreth 30 përfaqësues diplomatikë të shteteve anëtare të BE-së, Komisionit Evropian dhe Shërbimit Evropian të Veprimit të Jashtëm.
Gjatë takimit, Zulfaj ka prezantuar progresin e Kosovës në procesin e integrimit evropian, duke kërkuar që vendi të avancojë nga statusi i kandidatit potencial në atë të vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Ai ka falënderuar diplomatët për mbështetjen e vazhdueshme të shteteve të tyre ndaj Kosovës, ndërsa ka ritheksuar përkushtimin e Qeverisë dhe institucioneve të vendit për zbatimin e Agjendës së Reformave.
Në diskutimet me përfaqësuesit diplomatikë janë trajtuar arritjet e Kosovës, sfidat që e shoqërojnë procesin e integrimit dhe perspektiva e anëtarësimit në BE.
Zulfaj ka vlerësuar se statusi aktual i Kosovës si kandidate potenciale nuk pasqyron në mënyrë të drejtë progresin e arritur, veçanërisht në krahasim me vendet e tjera të rajonit.
Ai ka vënë në pah edhe rezultatet e Kosovës në indekset ndërkombëtare që matin demokracinë dhe zhvillimin ekonomik, duke kërkuar që këto arritje të merren parasysh në avancimin e marrëdhënieve me Bashkimin Evropian.
Në takim ka marrë pjesë edhe ambasadori Agron Bajrami, kryenegociator i Kosovës në dialogun teknik për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe shef i Misionit Diplomatik të Kosovës në Bruksel.
Kosova synon që përparimi në reforma dhe rezultatet e arritura të përkthehen në hapa konkretë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Burimi: mesazhi
Etiketa: Aktuale