E hënë, 2 Nëntor 2026

Protesta për vrasjen e Arlinda Zekaj do të vazhdojë edhe sot në Prishtinë, për të gjashtën ditë radhazi, me kërkesën për drejtësi dhe përgjegjësi institucionale për rastin e saj.
Protesta, e organizuar nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, është paralajmëruar të nisë në orën 17:00, në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë.
Organizatorët kanë bërë thirrje për mobilizim qytetar, duke theksuar se protestat do të vazhdojnë deri në përmbushjen e kërkesave të tyre për drejtësi për Arlindën dhe për të gjitha gratë e vrara, si dhe siguri për gratë që përballen me dhunë.
Ndër kërkesat kryesore të protestuesve është që femicidi të trajtohet si urgjencë kombëtare, shkarkimi i ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, si dhe hetimi dhe ndjekja penale e zyrtarëve institucionalë që dyshohet se kanë neglizhuar rastin e Zekajt.
Po ashtu, protestuesit kanë kërkuar përgjegjësi nga zyrtarët e institucioneve të drejtësisë, policisë dhe Qendrës për Punë Sociale, në rast se konstatohet se nuk kanë përmbushur detyrat e tyre në trajtimin e rastit.
Në mesin e kërkesave është edhe sigurimi i banimit social për të mbijetuarat e dhunës në familje, si dhe krijimi i mekanizmave më efektivë për mbrojtjen e grave në rrezik.
Protesta dhe marshime në kërkim të drejtësisë për Arlinda Zekajn janë mbajtur edhe në Pejë, Mitrovicë, Ferizaj dhe Istog.
Burimi: mesazhi
Etiketa: Aktuale
