Edhe sasitë e vogla të alkoolit mund të dëmtojnë trurin


E hënë, 27 Prill 2026
Edhe sasitë e vogla të alkoolit mund të dëmtojnë trurin

Ndonëse dihet që abuzimi me alkoolin është i dëmshëm, një studim i ri zbulon se edhe konsumi në nivele të ulëta mund të shkaktojë dëmtime cerebrale.

Një ekip kërkuesish nga SHBA-ja ka lidhur konsumin e alkoolit me reduktimin e perfuzionit cerebral (qarkullimit të gjakut) dhe hollimin e korteksit – pjesës së trurit përgjegjëse për proceset më të larta të mendimit.

Ajo që bie në sy është se këto shenja u vërejtën te personat që qëndronin brenda kufijve të konsideruar “të sigurt”: deri në 60 gota pije në muaj për burrat dhe 30 për gratë (një pije llogaritet si 14 gramë etanol i pastër, ose përafërsisht një shishe birrë, një gotë e vogël verë ose një tek raki).

Megjithëse këto limite janë rekomanduar prej kohësh, udhëzimet më të fundit dietike në SHBA nuk specifikojnë më një prag ditor të sigurt.

Për më tepër, studiuesit gjetën një korrelacion të fortë mes pirjes, moshës dhe hollimit të shtresës së jashtme të trurit. Gjetjet sugjerojnë se efektet e alkoolit mund të akumulohen me kalimin e kohës.

Konsumi që konsiderohet “me rrezik të ulët” mund të ketë pasoja për integritetin e indit kortikal, veçanërisht me rritjen e moshës. Studimi përfshiu 45 të rritur të shëndetshëm, të moshës 22-70 vjeç, pa histori varësie apo dehjeje të rëndë gjatë vitit të fundit.

Mesatarja e konsumit të pjesëmarrësve ishte 21 pije në muaj përgjatë gjithë jetës së tyre. Duke përdorur skanimet MRI, shkencëtarët vunë re se alkooli kishte ndikim më të madh tek perfuzioni sesa te vëllimi i trurit. Ashtu si në pjesën tjetër të trupit, qarkullimi i fortë i gjakut në tru është jetik për dërgimin e oksigjenit dhe lëndëve ushqyese, si dhe për largimin e mbetjeve toksike.

Studiuesit sugjerojnë se stresi oksidativ – një lloj “konsumi biologjik” i stimuluar nga alkooli – është faktori kyç në këtë proces. Edhe pse studimi ka kufizimet e veta, siç është raportimi vetjak i sasive të pirjes, ai përputhet me një prirje në rritje të kërkimeve mjekësore që vënë në dyshim ekzistencën e një niveli “të sigurt” të alkoolit.

Udhëzimet më të fundit zyrtare në SHBA e kanë ndryshuar tonin: në vend që të japin një numër gotash të lejuara, ato theksojnë se njerëzit duhet të konsumojnë sa më pak alkool për një shëndet më të mirë të përgjithshëm. /tesheshi.com/


Burimi: tesheshi

Kërko ndihmë për trajtim shëndetësor jashtë vendit
Të fundit