E diel, 16 Janar 2022
PRISHTINË – Në raportin e fundit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, të publikuar më 11 janar, thuhet se “niveli i lartë i ekonomisë joligjore në Kosovë ndikon negativisht në konkurrencën, kushtet e punës dhe madhësinë e firmës, duke kufizuar rritjen ekonomike”.
Kjo konkurrencë dëmton dhe dekurajon bizneset e formalizuara, thotë për Radion Evropa e Lirë Arian Zeka, shef ekzekutiv në Odën Ekonomike Amerikane të Kosovës.
“Është me rëndësi që bizneset ta kuptojnë se kanë rol të rëndësishëm në luftimin e ekonomisë joformale, rrjedhimisht krijimin e kushteve të barabarta për veten e tyre, sidomos tatimpaguesit e rregullt. Të gjitha bizneset duhet t’i njoftojnë organet përgjegjëse të shtetit për ndonjë aktivitet ilegal ekonomik, që ndodh qoftë brenda sektorit të tyre, ose në ekonominë e përgjithshme të vendit”, thekson Zeka.
Sipas tij, ekonomia joligjore dëmton jo vetëm bizneset, por edhe buxhetin e shtetit.
Për këtë nevojitet angazhim më serioz nga Administrata Tatimore e Kosovës, duke i fuqizuar aktivitetet e brendshme të kontrollit tatimor, në mënyrë që të klasifikohen sektorët, ku mund të ketë shmangie më të madhe të tatimeve, thotë ai.
Etiketa: Aktuale, Ekonomi, Ekonomia Joformale, Kosovë