E martë, 26 Maj 2026

Tre persona janë arrestuar në Suedi, pas vrasjes së 20-vjeçarit Elion Veseli, i cili vdiq nga një përleshje mes disa shqiptarëve të tjerë në qendër të Kristianstad, gjatë këtij muaji.
Të arrestuarit janë tre persona të dyshuar për përfshirje në këtë rast tragjik dhe dyshimet e para lidhen me një konflikt mes familjeve të viktimës (Familja Veseli me prejardhje nga Mitrovica) dhe njërit prej të dyshuarve (Familja Halili me prejardhje nga Drenica).
Konflikti mes dy familjeve daton nga viti 2011, ndërsa për rastin ku 20 vjeçari (Elion Veseli) vdiq nga plagët e rënda të pësuara nga sulmi me thikë, ishin të arrestuar pesë persona, ndërsa sipas mediave suedeze, dy prej tyre janë liruar menjëherë, ndërsa tre të tjerët, janë mbajt në paraburgim.
KlanKosova.tv ka arritur ekskluzivisht të sigurojë aktvendimet, ku edhe bëhen të ditur emrat e tre personave të dyshuar, që tashmë ngarkohen për kryerjen e veprës “Vrasje”.
Emrat e personave janë: Besnik Halili (28-vjeçar), Aron Halili (25-vjeçar) dhe Nazmi Halili (29-vjeçar), të cilët janë vëllezër, ndërsa sot, (26.05.2026), Nazmi Halili kishte kërkuar seancë dëgjimore, ku me vendim të gjykatës, ai përsëri është dërguar në paraburgim.]
Sipas dokumenteve të dorëzuara nga prokuroria në gjykatë, pritet të duhen të paktën edhe gjashtë javë derisa NFC, Qendra Forenzike e Policisë, të përfundojë analizat e saj lidhur me provat e mbledhura, përfshirë edhe ekzaminimet e gjurmëve të ADN-së.
Ndërkohë, policia ka zhvilluar disa intervista dhe marrje në pyetje që nga dita kur vëllezërit u arrestuan më 12 maj, ndërsa pritet të zhvillohen edhe shumë intervista të tjera gjatë javëve në vazhdim.
Klankosova.tv poashtu ka mësuar se tre vëllezërit janë dërguar në burgje të ndryshme, në mënyrë që të shmangin kontaktin ndërmjet vete, ndërsa nuk ju lejohet kontakti me asnjë njëri tjetër përveç avokatëve të tyre mbrojtës.
Po ashtu, në kuadër të hetimeve janë sekuestruar edhe telefonat mobilë, të cilët pritet t’i nënshtrohen analizimit dhe kontrollimit të përmbajtjes së tyre, proces që njihet si “zbrazje” e telefonave, për të siguruar prova shtesë për rastin.
Klankosova.tv ka mësuar pashtu se në vitin 2020 Besnik Halili (vëllau i mesëm), ishte dënuar edhe më herët së bashku me tre persona të tjerë për grabitjen e një dyqani në Suedi, ngjarje e ndodhur në shkurt të vitit 2017.
Nazmi Halili, Besnik Halili dhe Aron Halili gjatë seancës janë deklaruar të pafajshëm, mirëpo me vendim të gjykatës pas kërkesës së prokurorisë, tre personat janë dërguar në paraburgim, me arsyetimin se të njëjtit mund të zhdukin prova, ose në një mënyrë tjetër të ndërhyjnë në procesin hetimor.
Klankosova.tv ka kontaktuar Policinë Suedeze në këtë rajon ditë më parë, për të marrë informacione të reja, por zyrtari për komunikim nuk e ka dhënë asnjë detaj, meqë hetimi ende vazhdon.
Policia po kërkon dëshmitarë për vrasjen në Kristianstad
Policia suedeze ka bërë thirrje për ndihmë nga qytetarët lidhur me hetimet për vrasjen e ndodhur në Kristianstad, ku një 20-vjeçar humbi jetën pas një sulmi me mjet të mprehtë.
Sipas autoriteteve, ngjarja ndodhi mbrëmjen e 9 majit në rrugën Ostra Storgatan, ndërsa hetimet për rastin janë ende duke vazhduar intensivisht.
Policia u ka bërë apel të gjithë personave që mund të kenë parë diçka të dyshimtë apo që posedojnë informacione, fotografi ose video nga vendi i ngjarjes, që të kontaktojnë autoritetet hetimore.]
Autoritetet besojnë se ka persona që mund të kenë parë diçka me rëndësi për hetimet, por me të cilët policia ende nuk ka arritur të bisedojë.
“Në kuadër të hetimeve ekzistojnë të dhëna që tregojnë se në vendngjarje kanë qenë disa persona që mund të kenë bërë vëzhgime të rëndësishme dhe me të cilët policia ende nuk ka mundur të flasë”, thuhet në njoftimin e policisë, e publikuar në mediat suedeze.
Si ndodhi e gjithë ngjarja?
Sipas informacioneve që dihen deri më tash, konflikti mes dy familjeve ka nisur në vitin 2011, gjatë një turneu futbolli për fëmijë, kur një përplasje mes dy djemve 12-vjeçarë çoi në tensione dhe përleshje mes prindërve.
Që nga ajo kohë, raportimet thonë se mosmarrëveshjet mes familjeve kanë vazhduar ndër vite, me incidente të herëpashershme.
Viktima që u vra ditë më parë është vëllai i njërit prej djemve të përfshirë në konfliktin fillestar të vitit 2011, ndërsa një nga të arrestuarit dyshohet të jetë pjesëtar i familjes tjetër të përfshirë në atë ngjarje.
Informacionet e Klanit janë konfirmuar edhe nga raportimet në mediat suedeze.
Fillimisht, thuhet se në janar 2011, në turneun e futbollit, rreth 30 persona morën pjesë në përleshjen që po përflitet, ku më pas dy burra dhe dy gra u hetuan për dhunë fizike, por çështja nuk përfundoi në gjyq.
Bulletin raporton se “Hasmëritë mes familjeve shqiptare janë një fenomen i njohur, por nuk ka asgjë që tregon se bëhet fjalë për familje kriminale. Disa nga personat e përfshirë gjenden në databazën juridike Verifiera, por me dy përjashtime bëhet fjalë për vepra të vogla penale.”
Një nga këto përjashtime lidhet me faktin se babai i njërit prej djemve 12-vjeçar ishte dënuar më vonë po atë vit me tre vite burg, pasi në gjendje të dehur kishte thyer një shishe në kokën e një burri tjetër, rast ky që u cilësua si tentim vrasje, transmeton Klankosova.tv
Më vonë, më 30 dhjetor 2014, tutje thuhet se dy djemtë u takuan sërish për ndeshje tjetër dhe dyshohet se pati sërish përplasje.
Madje, është publikuar edhe dëshmia e njërit prej djemve, që Bulletin njofton se ishte i përfshirë njëri prej prindërve të djemve, që më vonë u dënua.
“Ai kishte topin në sulm dhe e kaloi…[NN2]. [NN2] pastaj e kapi për bluze dhe i tha diçka në shqip që e përkthyer në suedisht do të thotë afërsisht ‘q*** nënën tënde’. Kur [NN1] u kthye, [NN2] e goditi. [NN1] reagoi duke e shtyrë [NN2]. Ai nuk bëri më asgjë ndaj [NN2], por gjyqtari ndërhyri dhe i ndau. Pikërisht kur gjithçka u qetësua, erdhi [babai i NN2] dhe e goditi me një grusht të fortë në hundë”, transmeton Klankosova.tv
Babai i njërit prej tyre raportohet se ishte vetë trajner futbolli, por u largua pas një tjetër përleshjeje gjatë një ndeshjeje në Skåne në vitin 2015.
Ndërsa, në dhjetor 2023, ndodhi një aksident jashtë Kristianstadit, që çoi në një përleshje të madhe ku dy persona u dërguan në spital dhe tre persona u arrestuan nga policia.
“Policia dyshoi për një “përplasje të qëllimshme” dhe të dy familjet armiqësore u përmendën edhe atëherë.”
20-vjeçari Elion Veseli, i cili u vra tragjikisht në Suedi, tanimë është varrosur në varrezat e Rodaleds-it.
Ndërsa babai i të ndjerit kishte publikuar një fotografi të Elionit, ku edhe theksoi që amanetin e tij do ta përcjell deri në vdekje
Ngjarja ka tronditur shtetin suedez, ndërsa gjykimi për tre të dyshuarit vazhdon ende
Shënim: Personi/personat e përmendur në këtë artikull, prezumohen të pafajshëm deri në një vendim të formës së prerë nga gjykata.
Burimi: klankosova
