FIFA sjell rregulla të reja për Botërorin 2026


E shtunë, 25 Prill 2026
FIFA sjell rregulla të reja për Botërorin 2026

FIFA ka prezantuar pesë ndryshime të reja në rregullat e lojës në prag të FIFA World Cup 2026, që do të zhvillohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanadaja dhe Meksika.

Sipas njoftimit, qëllimi i ndryshimeve është përshpejtimi i ritmit të lojës dhe reduktimi i vonesave, pas kritikave të shumta për ndërprerje të shpeshta në futbollin modern.

Një nga rregullat e reja kufizon kohën e lojtarëve që dalin nga fusha gjatë zëvendësimeve në vetëm 10 sekonda, përndryshe skuadra do të ndëshkohet me vonesë në hyrjen e lojtarit zëvendësues.

Gjithashtu, rivëniet anësore duhet të kryhen brenda 5 sekondave, përndryshe topi i kalon kundërshtarit. Ndryshime janë bërë edhe në trajtimet mjekësore në fushë, ku lojtarët do të detyrohen të dalin për një minutë pas marrjes së ndihmës.

Një tjetër rregull i ri kufizon komunikimin me gjyqtarin vetëm për kapitenin e skuadrës, ndërsa lojtarët e tjerë rrezikojnë ndëshkim nëse e rrethojnë arbitrin.

Ndryshimi më i debatueshëm lidhet me sistemin VAR, i cili tani do të ketë kompetenca më të zgjeruara, duke përfshirë edhe rishikimin e kartonëve të dytë të verdhë dhe vendimeve për goditjet nga këndi.

FIFA thotë se këto rregulla synojnë të rrisin dinamikën dhe cilësinë e lojës, ndërsa pritet të testohen për herë të parë në turneun më të madh të futbollit botëror.


Burimi: 04online

Kërko ndihmë për trajtim shëndetësor jashtë vendit
Të fundit