E premte, 21 Gusht 2026

Brukseli është veshur me ngjyra. Në zemër të kryeqytetit belg, sheshi historik “Grand Place” është kthyer në një vepër gjigante arti, me rastin e edicionit të 24-t të “Flower Carpet”, një prej ngjarjeve më të veçanta kulturore dhe turistike të qytetit.
Këtë vit, tradita është ndërthurur me artin japonez.
Tapeti me lule është frymëzuar nga vepra e famshme e artistit japonez Hokusai, “Vala e Madhe e Kanagavës”, ndërsa në të janë përdorur rreth 500 mijë lule dahlia, në 15 varietete dhe 10 ngjyra të ndryshme.
Punëtorët kanë kaluar orë të tëra duke vendosur me kujdes çdo lule mbi kalldrëmin e sheshit, duke ndërtuar gradualisht një mozaik shumëngjyrësh që tërheq vëmendjen e turistëve dhe banorëve.
Por zgjedhja e dahlias këtë vit nuk është vetëm estetike.
Europa që po përballet me temperatura të larta, organizatorët kanë kërkuar një lule më rezistente ndaj vapës.
“Për tapetin me lule po përdorim dahlias. Dahlia është një lule shumë e fortë. Ajo vjen fillimisht nga malësitë e Meksikës dhe është mësuar me temperatura të tilla. Është shumë rezistente ndaj nxehtësisë. I pëlqen më shumë nxehtësia dhe thatësira sesa shiu, ndaj është shumë e përshtatshme për Brukselin këto ditë”, pohoi Dennis Van Der Meer, organizator i “Flower Carpet”.
Ndërsa temperaturat pritet të arrijnë deri në 35 gradë Celsius, lulet janë vendosur njëra pas tjetrës, duke i dhënë jetë një prej shesheve më të njohura të Europës.
Për belgët, ky edicion ka edhe një domethënie të veçantë diplomatike. Festivali shënon 160-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike mes Belgjikës dhe Japonisë.
Japonia rikthehet si vend i nderit në këtë aktivitet, pas pjesëmarrjes së saj të fundit në vitin 2016.
“Flower Carpet” do të qëndrojë i ekspozuar në “Grand Place” nga 13 deri më 16 gusht.
Burimi: mesazhi
