Gazetari kroat publikon dosjen sekrete të ish-shefit të shërbimit sekret boshnjak mbi rolin e Vuçiqit në “Sarajevo Safari”


E diel, 23 Gusht 2026
Gazetari kroat publikon dosjen sekrete të ish-shefit të shërbimit sekret boshnjak mbi rolin e Vuçiqit në “Sarajevo Safari”

Gazetari kroat Domagoj Margetiq ka publikuar dokumente të cilat, sipas tij, janë pjesë e dokumentacionit të brendshëm dhe sekret të Shërbimit të Sigurimit Shtetëror të Bosnjë-Hercegovinës që lidhen me rolin e Aleksandar Vuçiqit në Rrethimin e Sarajevës.

Në qendër të materialit është një dokument i datës 17 shkurt 1995, i lidhur me përpunimin operacional të koduar “Lovac”, apo “Gjuetari”.

Dokumenti i atribuohet Negjad Ugljenit, atëherë drejtues i Shërbimit të Sigurimit Shtetëror të Bosnjë-Hercegovinës, shkruan The Geopost.

Sipas përmbajtjes së dokumentit të publikuar nga Margetiq, Ugljeni e identifikon Aleksandar Vuçiqin, i cili në atë kohë ishte sekretar i përgjithshëm i Partisë Radikale Serbe në Beograd, si personin që koordinonte ardhjen e shtetasve të huaj në pozicionet e snajperëve nga ku, sipas dokumentit, qëllohej ndaj civilëve në Sarajevë.

Në dokument thuhet se, pas bisedave me disa persona lidhur me ardhjen e “gjuetarëve të huaj” për të qëlluar njerëz nga pozicionet e snajperëve në Grbavicë dhe Varrezat Hebraike, kontaktet operative kishin siguruar informacione që Shërbimi i konsideronte të besueshme.

“Personi që koordinon aktivitetet e sjelljes së gjuetarëve të huaj në Grbavicë dhe që i shoqëron ata në pozicionet nga të cilat qëllohet mbi civilët në Sarajevë është sekretari i atëhershëm i përgjithshëm i Partisë Radikale Serbe në Beograd, Aleksandar Vuçiq”, thuhet në dokumentin e publikuar.

Në material thuhet gjithashtu se Vuçiq kalonte kufirin dhe lëvizte në territorin nën kontrollin e forcave serbe të Bosnjë-Hercegovinës. Sipas dokumentit, në pikat e kontrollit ai identifikohej me një legjitimacion të rezervistit të Shërbimit të Sigurimit Shtetëror të Serbisë.

Sipas dokumentit, ky legjitimacion ishte lëshuar nga Frenki Simatoviq, atëherë zëvendësdrejtor i DB-së së Serbisë.

Aty theksohet se aktivitetet e Vuçiqit në lidhje me ardhjen e “gjuetarëve të huaj” në Grbavicë dhe në Varrezat Hebraike kishin vazhduar edhe pasi ai ishte kthyer në Beograd dhe ishte zgjedhur sekretar i përgjithshëm i Partisë Radikale Serbe.


Burimi: mesazhi

Etiketa:
Kërko ndihmë për trajtim shëndetësor jashtë vendit
Të fundit