E shtunë, 17 Tetor 2026

Gërmimet në Kozhle të Novi-Pazarit, në territorin e Serbisë, zgjatën rreth dy javë.
Por, për herë të tretë, puna në këtë lokacion u ndërpre pa u përfunduar procesi i kërkimit.
Në këtë hapësirë, ku qytetarët përreth hedhin mbeturina, dyshohet se mund të ketë një varrezë masive, që lidhet me luftën e fundit në Kosovë.
Për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur, pengesë kryesore vazhdon të jetë Serbia.
“Lokacioni në Kozhle, por në përgjithësi çdo lokacion apo përpjekje për të adresuar një lokacion në Serbi, shpërfaq më së miri atë qasjen që institucionet e Serbisë kanë kundrejt kësaj problematike, pra një qasje politizuese, e cila po pamundëson respektimin e një të drejte elementare për familjet”, tha Kushtrim Gara nga komisitoni qeveritar për persona të zhdukur.
Ky thotë se në disa lokacione në Serbi, gërmimet kufizohen në vetëm pak ditë pune dhe procesi shtyhet vazhdimisht nga një vit në tjetrin.
“Pra, me raste të tilla si lokacioni në Kozhle, lokacione të ngjashme janë me dhjetëra, që Serbia cakton tri-katër ditë punë, kryesisht në sezonin e vjeshtës, për të bartur pastaj në vitin e ardhshëm, për të bartur pastaj pafundësisht nga viti në vit. E njëjta përvojë ka qenë në Rudnicë të Rashkës, e njëjta përvojë ka qenë në Kizhevak të Rashkës”, tha Gara.
Gara thekson se, pavarësisht punës së bërë për më shumë se dy javë, lokacioni në Kozhle vazhdon të konsiderohet i papërfunduar.
“Edhe ky gërmim për më shumë se dy javë, pavarësisht këtij gërmimi, ky lokacion apo kjo zonë apo ky regjion për ne si rast mbetet i papërfunduar, pra mbetet pjesë e agjendës, ashtu siç mbesin edhe dhjetëra lokacione të shënuara në territorin e Serbisë”, pohoi Gara.
Serbia, që nga viti 2001, ka potencuar listën e 16 varrezave masive në territorin e saj.
Ndërkohë, gjatë luftës së fundit në Kosovë janë zhdukur rreth 1 mijë e 500 persona, fati i të cilëve ende nuk dihet.
Burimi: mesazhi
Etiketa: Aktuale
