E shtunë, 17 Tetor 2026

Lionel Messi është një futbollist që bota nuk do ta shohë më, ndërsa niveli i tij në stërvitje ishte po aq i jashtëzakonshëm sa në ndeshje. Kështu e përshkruan argjentinasin Ander Herrera, mesfushori spanjoll që ka ndarë dhomën e zhveshjes me të te Paris Saint-Germaini.
Në një intervistë të gjatë me ish-mbrojtësin e Anglisë, Rio Ferdinand, Herrera ka folur për karrierën e tij, përvojën përkrah disa prej yjeve më të mëdhenj të futbollit dhe dallimet mes Lionel Messit, Neymarit dhe Kylian Mbappes.
37-vjeçari, i cili aktualisht luan te Real Zaragoza, ka kaluar nëpër skuadra si Athletic Bilbao, Manchester Unitedi, Paris Saint-Germaini dhe Boca Juniors. Megjithatë, kur vjen puna te futbollisti më i veçantë me të cilin ka luajtur, ai nuk ka asnjë dyshim.
Duke folur për gazetën spanjolle “Marca”, Herrera u shpreh për Messin: “Është diçka që nuk do ta shohim më”.
Spanjolli, i cili ka pasur mundësinë ta njohë nga afër argjentinasin në Paris, theksoi se ajo që e bënte Messin të jashtëzakonshëm nuk ishte vetëm ajo që tregonte në fushë gjatë ndeshjeve, por edhe vazhdimësia e tij në stërvitje.
“Sa herë e humbiste topin në stërvitje? Asnjëherë. Ishte çmenduri. Leo, çdo ditë!”, tha ai.
Gjatë bisedës me Ferdinandin, Herrera foli edhe për Neymarin dhe Mbappen, duke i përshkruar secilin në mënyrën e vet. Në sytë e tij, braziliani përfaqëson magjinë e futbollit, ndërsa sulmuesi francez është një “superhero”.
Kur Ferdinand përmendi tre yjet e PSG-së, Messin, Neymarin dhe Mbappen, Herrera shtoi edhe një emër tjetër: Angel Di Marian. Megjithatë, pavarësisht vlerësimit për bashkëlojtarët e tij, ai u kthye sërish te Messi si një futbollist i pakrahasueshëm.
Herrera shpjegoi gjithashtu se të luash përkrah yjeve të tillë kërkon inteligjencë taktike dhe aftësi për ta kuptuar rolin tënd brenda skuadrës. Sipas tij, nuk mjafton të jesh një lojtar i mirë; duhet të dish edhe si t’u krijosh hapësirë futbollistëve që bëjnë diferencën.
“Yjet janë yje. Mendoj se e kisha empatinë e nevojshme për të luajtur me ta. Duhet të dish t’u krijosh hapësirë, sepse nëse unë e bëj punën time, ata do të më bëjnë më të mirë. Messi dhe Neymar duan t’ua japësh topin dhe të jesh aty në rast se ata kanë nevojë të ta kthejnë”.
Mesfushori foli edhe për vështirësitë e menaxhimit të një dhome zhveshjeje të mbushur me futbollistë të nivelit më të lartë, ku secili ka personalitetin, ambiciet dhe pritshmëritë e veta.
“Është e vështirë, por jo e pamundur. Ancelotti e bëri këtë te Real Madridi me Cristiano Ronaldon, me Balen, me Benzeman dhe me Sergio Ramosin…”, shtoi ai.
Në anën tjetër, Herrera vlerësoi qasjen e trajnerit Luis Enrique te Paris Saint-Germaini, i cili, sipas tij, ndoqi një rrugë tjetër duke hequr dorë nga disa prej yjeve të skuadrës, pasi prania e tyre mund t’i krijonte probleme.
“Dhe shikoni se çfarë arriti me Paris Saint-Germainin”, përfundoi Herrera.
Burimi: 04online
