E mërkurë, 6 Maj 2026

Sonte zhvillohet përballja vendimtare mes Bashkimit dhe Borës, ndeshje që do të përcaktojë skuadrën e fundit finaliste të “Play-off”-it në basketbollin kosovar.
Seria gjysmëfinale është barazuar 2:2, ndërsa fituesi i sfidës së të mërkurës do t’i bashkohet Trepçës në finale.
“Portokallezinjtë” synojnë rikthimin në finale dhe vazhdimin e garës për titullin e kampionit. Në anën tjetër, Bora po jeton një edicion historik, pasi për herë të parë ka arritur të jetë pjesë e “Play-off”-it dhe vazhdon të ndjekë me ambicie të qarta ëndrrën për të shkruar histori.
Katër përballjet e deritanishme gjysmëfinale kanë sjellë rivalitet të fortë, ritëm të lartë dhe dramë deri në sekondat e fundit, duke e bërë edhe më tërheqëse sfidën e sontme.
Ndeshja e parë i takoi Bashkimit me rezultat 73:70. Në takimin e dytë, Bora reagoi duke triumfuar 76:75. Në Prizren, vendasit rikthyen epërsinë me fitoren 88:73, ndërsa përballja e fundit u mbyll në favor të prishtinasve me rezultat 104:99.
Pas katër dueleve që kanë mbajtur të hapur çdo skenar, gjithçka mbetet të vendoset sonte.
Takimi nis nga ora 19:30 dhe pritet të sjellë edhe një tjetër mbrëmje të madhe basketbolli, aty ku vetëm një skuadër do ta sigurojë vendin në finalen e shumëpritur./04 Online
Burimi: 04online
