E mërkurë, 20 Mars 2019
BRUKSEL – Johannes Hahn deklaroi nga Brukseli se e mbështet plotësisht të drejtën e protestave dhe lirinë e shprehjes në Ballkanin Perëndimor, por Komisioneri europian i Zgjerimit dhe Fqinjësisë së mirë e bëri të qartë se “çdo lloj dhune është e papranueshme” dhe se e dënon me forcë.
Ai iu tregoi vendeve të rajonit se “ndryshimet politike mund të bëhen vetëm përmes proceseve demokratike”, përfshirë këtu zgjedhjet.
BE-ja, u shpreh zyrtari i lartë i bllokut, nuk do të jetë arbitër në atë se kush do të jetë në pushtet.
“Ata që kërkojnë prej nesh të sigurojmë diku sundimin e ligjit janë të njëjtët që besojnë se mund të hyjmë si forcë ushtarake, të përjashtojmë qeverinë aktuale dhe të zëvendësojmë atë me një tjetër. Ne nuk e kuptojmë kështu sundimin e ligjit, demokracinë dhe transparencën”, citohet të ketë thënë Hahn.
Në emër të institucioneve të Brukselit, ai u zotua se do të vazhdojë të mbrojë parimet europiane, por e refuzoi dhunën si një mjet politik. Hahn i bëri këto komente pas takimit që zhvilloi me shefen e diplomacisë europiane, Federica Mogherini, dhe kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.
Etiketa: Ballkani, Bashkimi Europian, Johannes Hahn