E martë, 12 Maj 2026

Një vjedhje e rëndë është raportuar në një depo të materialit ndërtimor në fshatin Buqe të Dragash, ku persona të maskuar dyshohet se kanë hyrë me forcë dhe kanë marrë rreth 15 mijë euro nga një kasafortë, e cila më pas u gjet e demoluar pranë objektit.
Lajmin për Klankosova.tv e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Prizren, Shaqir Bytyqi.
“Me datë 09 maj 2026, në orën 07:25, një qytetar nga fshati Blaq ka raportuar në polici se në depon e tij të materialit ndërtimor në fshatin Buqe – Dragash, është kryer një vjedhje e rëndë”, tha Bytyqi.
Sipas tij, persona të panjohur “janë futur me dhunë përmes derës së ballkonit në katin përdhese dhe kanë hapur me forcë kasafortën, nga e cila janë vjedhur rreth 15,000 euro”.
Bytyqi bëri të ditur se “kasaforta e demoluar dhe e zbrazur është gjetur në afërsi të vendit të ngjarjes”, ndërsa në vendin e incidentit kanë dalë patrulla policore, njësitet e forenzikës dhe hetuesisë.
“Roja e objektit ka deklaruar se gjatë natës nuk ka vërejtur asgjë të dyshimtë”, shtoi ai.
Ai theksoi se aktualisht nuk ka persona të dyshuar, ndërsa hetimet për rastin janë duke vazhduar.
Burimi: klankosova
