E martë, 12 Maj 2026

Vitamina Q, e njohur edhe si koenzima Q10 ose ubikinona, konsiderohet një nga substancat më të rëndësishme për energjinë dhe mirëqenien e organizmit. Ajo është bërë gjithnjë e më popullore vitet e fundit falë rolit të saj në luftimin e lodhjes, plakjes së lëkurës dhe përmirësimin e shëndetit të zemrës.
Kjo molekulë prodhohet natyrshëm nga vetë trupi dhe gjendet pothuajse në çdo qelizë, ndaj edhe quhet “ubikinonë”, nga latinishtja “ubi”, që do të thotë “kudo”. Struktura e saj është e ngjashme me vitaminat E dhe K dhe, duke qenë e tretshme në yndyrë, organizmi është në gjendje ta ruajë dhe ta përdorë sipas nevojës.
Pse është kaq e rëndësishme?
Funksioni kryesor i vitaminës Q është prodhimi i energjisë në qeliza. Ajo ndihmon trupin të shndërrojë ushqimin në energji dhe luan një rol kyç në funksionimin e organeve të rëndësishme si zemra, mëlçia, pankreasi dhe veshkat.
Përveç kësaj, vitamina Q ka një efekt të fuqishëm antioksidues. Ajo ndihmon në mbrojtjen e qelizave nga radikalet e lira dhe ngadalëson procesin e plakjes qelizore.
Kjo është edhe arsyeja pse koenzima Q10 përdoret shpesh në kremra kundër rrudhave dhe produkte kozmetike rinovuese. Sipas specialistëve, ajo ndihmon në ruajtjen e kolagjenit dhe elastinës, duke e bërë lëkurën më elastike dhe më të tonifikuar.
Ndihmon edhe kundër lodhjes
Një nga përfitimet më të njohura të vitaminës Q është rritja e energjisë dhe reduktimi i lodhjes fizike. Shumë njerëz e përdorin si suplement për të luftuar rraskapitjen dhe mungesën e energjisë, sidomos pas moshës 50-vjeçare, kur prodhimi natyral i saj nga organizmi fillon të ulet.
Ajo luan gjithashtu rol në forcimin e sistemit imunitar dhe ndihmon organizmin të përballet më mirë me infeksionet dhe stresin oksidativ.
Disa studime tregojnë se koenzima Q10 mund të ndikojë pozitivisht edhe në kontrollin e nivelit të sheqerit në gjak dhe uljen e kolesterolit LDL, i njohur si “kolesteroli i keq”.
Në cilat ushqime gjendet?
Vitamina Q gjendet kryesisht në produktet shtazore. Burimet më të pasura janë mishi i viçit, pulës dhe derrit, sidomos mëlçia.
Sasi të konsiderueshme të saj gjenden edhe tek peshqit yndyrorë si, salmon, tuna, sardele.
Megjithatë, me kalimin e viteve, trupi prodhon më pak koenzimë Q10, ndaj shumë njerëz zgjedhin ta marrin edhe në formë suplementi.
Sa vitaminë Q duhet të marrim?
Sipas rekomandimeve, nevoja ditore për vitaminë Q varion nga 100 deri në 200 mg. Ekspertët këshillojnë që dozat të mos tejkalohen, pasi marrja e tepërt nuk rekomandohet.
Duke qenë se është një substancë e tretshme në yndyrë, koenzima Q10 përthithet më mirë kur merret gjatë vakteve që përmbajnë yndyrna të shëndetshme, si vaj ulliri apo ushqime të tjera të pasura me yndyrë natyrale.
Megjithatë, para përdorimit të suplementeve, sidomos për persona me probleme shëndetësore apo që marrin medikamente, rekomandohet konsultimi me mjekun ose farmacistin.
Burimi: mesazhi
