Shpjegimet e një epidemiologu mbi ankthin shëndetësor të “qyteteve lundruese”


E martë, 12 Maj 2026
Shpjegimet e një epidemiologu mbi ankthin shëndetësor të “qyteteve lundruese”

Menaxhimi i infeksioneve në kroçera, të cilat ndjellin ndjesi globale COVID-i

Anijet turistike, kroçerat, përfaqësojnë një sfidë unike për shëndetin publik, duke u shndërruar shpesh në vatra infeksioni për shkak të dendësisë së lartë të pasagjerëve. Rasti i fundit i anijes “Mv Hondius” ka rikthyer vëmendjen te viruset si norovirusi apo hantavirusi, që përhapen me shpejtësi në mjedise të mbyllura.

Edhe pse duken si hapësira të izoluara dhe lehtësisht të kontrollueshme, këto anije funksionojnë si ekosisteme komplekse ku higjiena ushqimore dhe kontakti ndërpersonal janë pikat më kritike.

Virologu italian Fabrizio Pregliasco analizon në një intervistë për Corriere della Sera arsyet pse këto “qytete lundruese” kërkojnë protokolle strikte ndërkombëtare për të parandaluar shpërthimet virale.

Një anije kroçere duket si një mjedis i izoluar dhe i kontrollueshëm. Po nga pikëpamja epidemiologjike, a është vërtet kështu?

Rreziku sigurisht ekziston. Është një vend i mbyllur me një afërsi të madhe ndërmjet njerëzve dhe me një sërë shërbimesh të përbashkëta. Për shembull mjafton të mendojmë për një helmim ushqimor. Në një anije ai mund të përhapet me lehtësi. Është një mjedis që kërkon gjithmonë vëmendje të madhe nga pikëpamja shëndetësore.

Pse një anije mund të shndërrohet me shpejtësi në një shumëfishues kontaktesh?

Sepse është si një qytet i vogël lundrues. Njerëzit jetojnë në një afërsi të madhe dhe të zgjatur në kohë. Në jetën e zakonshme, ndoshta e takojmë dikë në metro vetëm një herë. Ndërsa në kroçerë e takon sot, nesër, pasnesër, në mëngjes dhe në mbrëmje. Ky intensitet dhe frekuencë e kontakteve rrit në mënyrë të pashmangshme rrezikun.

Sa rëndësi kanë hapësirat e përbashkëta?

Shumë. Restorantet, teatrot, pishinat, zonat e përbashkëta, që të gjitha janë vende kontakti të vazhdueshëm. Unë shoh mbi të gjitha problemin nga helmimet ushqimore, që vërehet edhe më shpesh, por ekzistojnë edhe infeksionet respiratore.

Ju citoni shpesh helmimet ushqimore. A është ky një nga rreziqet kryesore?

Po. Ngjarjet e fundit na tregojnë disa episode të norovirusit. Janë situata që pasojnë njëra-tjetrën. Dhe pastaj është edhe ccështja e higjienës së përgjithshme. Në një anije mund të ketë zona kritike që lidhen me furnizimin me ushqime ose me manipulimin e tyre.

Edhe në rastin e Hantavirusit, a mund t’i ndërlikojë gjërat konteksti i anijes?

Sigurisht. Ekziston tema e protokolleve të higjienës dhe dezinfektimit, si dhe e procedurave shumë të rrepta për sigurinë ushqimore. Por pastaj, këto protokolle duhet të zbatohen dhe të kontrollohen vërtet.

A është e vështirë të dallosh një grip të thjeshtë nga një infeksion më serioz?

Po, dhe ky është një nga aspektet më të ndërlikuara. Edhe ky episod, ndoshta fillimisht është nënvlerësuar. Por nga ana tjetër, shumë sëmundje në fillim kanë simptoma jospecifike: një dobësi trupore, çrregullime gastrointestinale, ethe. Pra simptoma të zakonshme.

Kroçerat kanë edhe një karakteristikë tjetër: pasagjerë që vijnë nga e gjithë bota. Sa peshon ky element?

Shumë. Ne shohim madje edhe epidemi gripi në periudha të çuditshme për Evropën, sepse njerëzit vijnë nga kontinente të ndryshme. Ndoshta dikush vjen nga Australia, ku stinët janë të kundërta me tonat. Kjo e bën më të lehtë qarkullimin e viruseve jashtë sezonit.

A ka rëndësi edhe profili i pasagjerëve?

Po. Kroçerat frekuentohen shpesh nga njerëz më të moshuar, më të brishtë dhe me sëmundje të tjera bashkëshoqëruese. Një helmim që te një i ri zgjidhet lehtësisht, te një i moshuar me shëndet të brishtë mund të ketë pasoja të rënda.

A janë kompanitë vërtet të përgatitura për të menaxhuar këto emergjenca?

Protokollet ekzistojnë dhe kompanitë duhet ta konfirmojnë këtë qartë. Megjithatë, pika kryesore është se ato duhet të zbatohen me rreptësi. Nevojiten mbikëqyrje, kontrolle dhe komunikim transparent nga ana e pronarëve të anijeve.

Atëherë cili është mesazhi i duhur që duhet t’u jepet udhëtarëve?

Që ekziston njëfarë rreziku dhe se duhen ruajtur ato sjellje të vëmendshme ndaj shëndetit që na mësoi pandemia e koronavirusit 2019. Pra ata duhet të përgatiten për udhëtimin, të vlerësojnë vaksinimet e mundshme dhe të jenë të kujdesshëm. /tesheshi


Burimi: mesazhi

Etiketa:
Kërko ndihmë për trajtim shëndetësor jashtë vendit
Të fundit