E diel, 17 Maj 2026

Felicien Kabuga, i akuzuar për financimin e gjenocidit të vitit 1994 kundër tutsive në Ruandë, ka vdekur në një spital në Hagë të Holandës, njoftoi të shtunën Mekanizmi Ndërkombëtar Rezidual për Tribunalet Penale (IRMCT), transmeton Anadolu.
Në një deklaratë, mekanizmi tha se zyrtari mjekësor i Njësisë së Paraburgimit të Kombeve të Bashkuara (UNDU) u njoftua menjëherë, ndërsa autoritetet holandeze nisën procedurat standarde dhe hetimet e kërkuara sipas ligjit kombëtar.
Tutje thuhet se gjyqtarja Graciela Gatti Santana, presidente e mekanizmit, urdhëroi një hetim të plotë mbi rrethanat e vdekjes së Kabugës, duke caktuar gjyqtarin Alphons Orie për ta zhvilluar hetimin.
Kabuga, biznesmen ruandez, akuzohej për gjenocid, komplot për kryerje të gjenocidit, nxitje të gjenocidit dhe krime kundër njerëzimit të kryera gjatë gjenocidit të vitit 1994 kundër popullatës tutsi në Ruandë.
Tribunali Penal Ndërkombëtar për Ruandën (ICTR), tashmë i shpërbërë, kishte lëshuar urdhër arresti për Kabugën në prill të vitit 2013.
Ai u arrestua në Francë në maj të vitit 2020 dhe u transferua në degën e mekanizmit në Hagë në tetor të po atij viti. Gjyqi ndaj tij filloi në shtator të vitit 2022.
Por në shtator të vitit 2023, Dhoma Gjykuese mori vendim për pezullimin e pacaktuar të procedurës, pasi Kabuga ishte konsideruar i paaftë për t’u gjykuar një muaj më herët nga Dhoma e Apelit.
Gjykata urdhëroi që ai të mbetej në paraburgim në njësinë e paraburgimit të OKB-së, deri në marrjen e një vendimi për lirimin e tij të përkohshëm.
Në kohën e vdekjes së tij, ai po priste lirimin e përkohshëm në një shtet të gatshëm për ta pranuar në territorin e tij.
I lindur në vitin 1935 në prefekturën Byumba në veri të Ruandës, e njohur sot si distrikti Gicumbi pranë kufirit me Ugandën, Kabuga u ngrit nga kushte modeste për t’u bërë një nga biznesmenët më të pasur të Ruandës.
Ai akuzohej se kishte përdorur pasurinë e tij për të ndihmuar në financimin e gjenocidit të vitit 1994 kundër grupit etnik tutsi, gjatë të cilit rreth 1 milion tutsi dhe hutu u vranë brenda 100 ditësh.
Tom Ndahiro, studiues i gjenocidit me bazë në Ruandë, kishte deklaruar më herët për Anadolu se Kabuga kishte luajtur rol në themelimin e transmetuesit famëkeq të urrejtjes “Radio-Television Libre des Mille Collines” (RTLM), i cili nxiste dhunë kundër popullsisë tutsi.
Burimi: mesazhi
Etiketa: Aktuale
