E shtunë, 17 Dhjetor 2022
PRISHTINË – Janë bërë rrafsh 70 ditë që dikasteri i shëndetësisë është pa ministër.
Drejtimin e kësaj ministrie nga 7 tetori e ka Dafina Gexha-Bunjaku si ushtruese e detyrës, pas dorëheqjes së Rifat Latifit.
Për deputetin opozitar dhe ish-ministrin e Shëndetësisë Armend Zemaj, kjo situatë po konsiderohet si papërgjegjësi politike, njofton Klan Kosova.
Gjendja në këtë sektor sipas tij është degraduar edhe më shumë përkundër problemeve të shumta që i ka pasur kjo lëmi.
Mirëpo edhe një institucion tjetër vartës po kaq i rëndësishëm, ShSKUK-ja udhëhiqet me ushtruese të detyrës tash e katër muaj.
Madje nuk dihet se kur bordi do ta shpallë konkursin për këtë pozitë zyrtare. Lidhur me këtë televizioni nuk ka marrë përgjigje tash e sa javë.
Veçse në kohën kur Valbon Krasniqi ishte zgjedhur drejtor me mandat trevjeçar, procedurat e rekrutimit kishin zgjatur tre muaj.
Deputeti Zemaj thekson se në këtë sektor nuk ka dialog të mirëfilltë dhe se ka kaos institucional, derisa për ta mbuluar këtë ai ri-kujton se për këtë qëllim ishte formuar edhe Komision Ekzekutiv i Shëndetësisë por pa asnjë rezultat deri më tani.
Edhe Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, Inspektorati, Agjencia për Produkte dhe Pajisje Mjekësore në udhëheqje kanë ushtrues detyre.
Etiketa: Kosovë, Ministria e Shëndetësisë