Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Integriteti, Llogaridhënia dhe Efikasiteti i sistemit të drejtësisë – Nevoja për Vetting

Prizren Post | 18:02 - 12.12.2018

  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  

PRISHTINË – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) dhe Instituti Columbus, të mërkurën, kanë mbajtur tryezën “Integriteti, Llogaridhënia dhe Efikasiteti i sistemit të drejtësisë – Nevoja për Vetting”, si aktivitet në kuadër të “Javës Kundër Korrupsionit 2018”.

Në këtë tryezë, u publikua raporti i përbashkët i IKD-së dhe Institutit Columbus me titull “Vetingu pa alternativë”, në të cilin janë prezantuar raste konkrete që dëshmojnë kapjen e institucioneve të drejtësisë dhe sigurisë, si Policia, Prokuroria dhe Gjyqësori nga politika dhe grupet e interesit në Kosovë.

Prej vitit 2010 e deri më tash, sistemi i drejtësisë, përfshi Policia, Prokuroria dhe Gjyqësori janë përfshirë në shkelje të shumta ligjore dhe skandale të përmasave të mëdha, të cilat e kanë ulur besimin e qytetarëve në këto institucione. Sistemi i organit të ndjekjes në shumë segmente ka dështuar në ndjekje të kryerësve të krimeve, sidomos kur bëhet fjalë për profilin e lartë. Zyrtarët e lartë shtetërorë si përfaqësues politik, jo në aspektin formal, por në aspektin praktik janë ndikuesit e drejtpërdrejtë në rekrutimin e gjykatësve dhe prokurorëve si dhe në emërimin e pozitave kyçe në sistemin e drejtësisë. Kjo ka ndikuar që sistemi i drejtësisë, të ketë gjykatës dhe prokurorë, sidomos në udhëheqje, që kanë lidhje të afërta apo janë “argatë” të drejtpërdrejtë të politikanëve të caktuar në pozita të larta shtetërore.

Një prej shpjegimeve të kapjes së shtetit është politizimi i skajshëm i institucioneve publike, sidomos gjyqësorit, prokurorisë dhe policisë. Krerët e institucioneve të drejtësisë, shoqërohen me të akuzuar të profilit të lartë të politikës, duke zbehur skajshmërisht besimin e qytetarëve, se rastet e tyre trajtohen në bazë të ligjit.

Në anën tjetër, mosndëshkimi i veprimtarive të korrupsionit, sidomos të profilit të lartë, dëshmon për amnistinë e tërësishme që iu bëhet politikanëve të korruptuar. IKD ka ngritur shqetësime për dukurinë e amnistisë së zyrtarëve të profilit të lartë, ndaj të cilëve qëllimisht ngritën aktakuza pa mbështetje të provave dhe dëshmive, të cilat rrëzohen në Gjykata, duke ju krijuar imunitet përjetësisht për të mos u ndjekur për veprat e njëjta.

Sipas IKD dhe Columbus, gjendja e krijuar ndër vite, mund të ndryshohet vetëm përmes vetingut, i cili duhet të përfshijë policinë, prokurorinë dhe gjyqësorin. Procesi i vetingut është thelbësor në fillimin e zbatimit të një reforme të thellë drejtësi për shkak se një sistem i pavarur dhe i paanshëm i drejtësisë ndikon në vendosjen e sundimit të ligjit dhe shtetit të së drejtës në Kosovë. Republika e Kosovës nuk mund të synojë respektim të sundim të ligjit, pa përfshirjen e policisë, prokurorisë dhe gjyqësorit në një veting të thellë, i cili do të largonte nga sistemi policët, prokurorët dhe gjykatësit që janë të afërt me politikën, kanë shërbyer për interesa politike dhe të grupeve të interesit, kanë dëshmuar performancë të dobët gjatë ushtrimit të detyrave, kanë krijuar pasuri të pashpjegueshme etj. Një proces i thellë i vetingut, duhet të ketë konsensusin e të gjitha partive politike dhe duhet të përgatitet dhe udhëhiqet ekskluzivisht nga partnerët ndërkombëtarë si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe dhe Gjermania.

Gjatë tryezës, panelistët dhe pjesëmarrësit debatuan me fokus në tri çështje kryesore: integritetin e institucioneve të drejtësisë dhe sigurisë në Kosovë, llogaridhënien dhe efikasitetin e tyre.

Panelistët e kësaj tryeze vlerësuan se njerëzit brenda sistemit të drejtësisë dhe sigurisë në Kosovë duhet të veprojnë me integritet, dhe duhet të jenë më shumë llogaridhënës, në mënyrë që të jenë sa më efikas dhe të pavarur. Ata gjithashtu pohuan se zvarritja e trajtimit të lëndëve ndikon në humbjen e besimit në sistemin e drejtësisë, i cili besim sipas tyre mund të sigurohet me kontroll të vazhdueshëm të integritetit, vlerësim të performancës e ndërmarrjen e masave disiplinore. Tutje, vlen të theksohet se Drejtori i Policisë së Kosovës, kishte qëndrim të qartë rreth vetingut, proces ky, i cili tha se duhet të nisë “dje”.


Etiketa:
Arivisti Company